Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i ka quajtur improvizime të Qeverisë bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë për çështjen e dinarit në Bruksel.
Ai ka thënë se bisedimet duhet të fokusohen në temën kryesore, që sipas tij, është implementimi i Marrëveshjes së Brukselit.
Ai ka thënë se si shkak i veprimeve të Qeverisë, ka një hidhërim nga aleatet e Kosovës.
“Besoj që duhet fokusuar te tema kryesore, tema kryesore është implementimi i marrëveshjes së njohur si plani franko-gjerman, kuptohet me obligimet që janë marrë sepse nëse i implementojmë këto obligime ecim drejt KiE-së, drejt kandidaturës për BE, drejt NATO-s. Ngecja në çështjen si dinari na kthen prapa dhe na vonon e i krijon epërsi Serbisë, Serbia po i shfrytëzon kundër Kosovës këto. Nuk është diçka e re, këto janë improvizime të Qeverisë, nuk janë diçka serioze dhe nuk po e sjellin rezultatin e duhur këto mënyra, po e shihni se e kemi një hidhërim të krejt aleatëve për shkak të veprimeve të Qeverisë”, ka thënë ai për EO.