Siguri energjetike, ekonomike dhe territoriale ka premtuar kandidati për kryeministër nga koalicioni mes AAK-së, Nismës, Konservatorëve dhe Intelektualëve, Ramush Haradinaj. Ai dha edhe zotime të tjera, në tubimin elektoral në Klinë.
Termocentral të ri me kapacitet prodhues deri në 500MË ka premtuar në Klinë Ramush Haradinaj, i cili është kandidat për kryeministër nga koalicioni mes AAK-së, Nismës, Konservatorëve dhe Intelektualëve.
Në sallën e sportit në fshatin Grabanicë, Haradinaj premtoi siguri energjetike, derisa e akuzoi Qeverinë Kurti për bojkotim të projekteve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për këtë sektor.
“Amerika i ka dhënë 200 milionë dollarë të veta për ta sjell gazsjellësin në Prishtinë, si ka ardhur në pushtet e ndali, tha se po dua bateri, solar. Dëgjoni këto nuk janë të qëndrueshme”, ka thënë Haradinaj. “Si të vijmë në pushtet me urgjencë, edhe nëse nuk na japin pare amerikanët ne duhet ta bëjmë gazsjellësin. DY punë mund t’i bëjmë me gazsjellësin, një central me 500 MW dhe na del më lirë sesa që blej te dostat e tij që po na shet dhe njëkohësisht gazi përdoret për amvisëri dhe ngrohje dhe e ulë kërkesën për energji”, ka thënë ai.
Haradinaj u zotua edhe për siguri ekonomike dhe territoriale dhe theksoi se këto zgjedhje janë jetike për Kosovën, për t’i parandaluar pasojat nga një qeveri që tha se nuk koordinohet me aleatët.
“Ne gjithë do të jemi këtu për këtë vend, por jo në gjendjen e njëjtë. Nëse nuk e bëjmë punën si duhet me 9 shkurt, nuk e di sesi kemi me kry punët tona të këtij vendi në mënyrën e duhur. Pra nëse nuk i kryejmë me 9 shkurt jam i sigurt që zhvillimet e këtij vendi janë më të këqija sesa që i mendojmë”, ka thënë Haradinaj.
E, kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, tha se Kosova duhet të udhëhiqet nga figura që bashkojnë njerëzit, ndërsa akuzoi kryeministrin Kurti për polarizim të shoqërisë.
“Kosovës i duhet një kryeministër dhe një qeveri e cila bashkon qytetarët e Kosovës, shuan polarizimet, nuk i harxhon energjitë kot në përplasje, në helmimin e popullit të Kosovës, në përçarje, në shpifje e në mashtrime”, ka thënë Limaj. “Kryeministri ynë e ka huqur rrugën, ka harruar punën që ia ka besuar qytetari i Kosovës. Qytetari i Kosovës ia ka besuar punën për t’i përvjelur duart, e për t’i bashkuar djemtë e vajzat e burra e gra, intelektual e Kosovës ata që dinë të bëjnë punën. Ai ia ka huqur, ai fuqishëm angazhohet për ta përçarë popullin”, shtoi ai.
Kryetari i kësaj komune dhe njëherësh kandidat për deputet, Zenun Elezaj, pati një premtim për mësimdhënësit.
“Kjo është padrejtësi e madhe që i është bërë veteranëve të arsimit e mësimdhënësve. Me qeverinë Haradinaj do të kenë mësimdhënësit kontratën kolektive në favor të tyre e do të marrin pagesat në kohë”, ka thënë Elezaj.
Kandidati për kryeministër duke kritikuar ekzekutivin për mos finalizimin e zgjerimit të segmentit Kijevë-Dollc, u zotua në përmirësimin e infrastrukturës për qytetarët e Klinës. Ai premtoi ndërtimin e autostradës së Dukagjinit.
Programi qeverisës i koalicionit është i ndërtuar mbi katër shtylla, Anëtarësimi direkt i Kosovës në NATO, zhvillimi ekonomik, përmbyllja e Dialogut me Serbinë me njohje reciproke dhe integrim në BE dhe ndaljen e braktisjes së Kosovës nga qytetarët.