Arbëri

Haradinaj ndërron premtimin për pensionet brenda javësh, nga 450 në 500 euro

Ramush Haradinaj

Kandidati për kryeministër nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se përgjatë viteve 2025-2029 të qeverisjes së partisë së tij, parashikohet që pensionet për kontributdhënësit të mos mbeten nën pagën minimale, që sipas tij, do të arrijë në 500 euro.

Këtë zotim Haradinaj e bëri gjatë një bisede në Shoqatën e Pensionistëve të Kosovës të mërkurën.

“Projeksionet tona për 2025-2029 parashikojnë një rritje prej 50% për të gjitha skemat pensionale. Jemi të vendosur që pensioni për kontributdhënësit të mos mbetet nën pagën minimale, e cila do të arrijë në 500 euro. Gjithashtu, po punojmë për të rishikuar uljen e kriterit prej 15 viteve përvojë pune, i cili aktualisht pengon shumë qytetarë të përfitojnë atë që meritojnë. Është zotim yni edhe rritja përvitshme prej 10% e pensioneve për të gjitha kategoritë”, ka shkruar ai në Facebook. 

 

Rreth një muaj më parë, përkatësisht më 27 gusht, pati dhënë një tjetër shifër si parashikim i rritjes së pensioneve, por edhe të pagës minimale në vend. 

Duke mos përmendur vetëm pensionet kontributdhënëse sikurse të mërkurën, Haradinaj pati thënë se projeksionet janë që pensionet të jenë “më e pakta në nivelin e pagës minimale, që arrin shifrën prej 450 euro”.

"Pensioni prej 100 e sa eurosh nuk mjafton mjafton as për barnat bazike, duke i shtyrë shumë drejt varfërisë së skajshme. Ato më e pakta do të jenë në nivelin e pagës minimale, që arrijnë shifrën prej 450 euro. Projeksioni ynë është që të sigurohet një buxhet dyvjeçar për fondin e sigurimeve shëndetësore për fillimin e zbatimit të ligjit për sigurime shëndetësore për të gjithë qytetarët. Ne besojmë në një Kosovë ku pensionistët gëzojnë kujdes të posaçëm, dhe ku çdo qytetar jeton me dinjitet”, pati shtuar ai.