Kandidati për kryeministër i koalicionit në mes të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Nismës Socialdemokrate, Forumit të Intelektualëve, Konservatorëve dhe Idealit, Ramush Haradinaj dha një premtim nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Haradinaj tha se me administratën Trump, Kosova do ta zërë hapin e anëtarësimit në aleancën veriatlantike.
“Pra u dha betimi i presidentit të Amerikës, edhe u shpallën objektivat për këto katër vjet, besoj që Kosova do ta zërë hapin me këtë administratë në qëllimin e vet që të ndodhë anëtarësimi direkt në NATO dhe shpejt”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj tha se në SHBA është takuar me senatorin amerikan Gary Peters e me profesorin e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe të politikës së jashtme amerikane Daniel Serwer, ku kanë diskutuar për integrimin e Kosovës në NATO.
E në Kosovë, kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, u përkujdes për takimet elektorale me qytetarët.
Ai u takua me banorët e fshatit Komogllavë të Ferizajt, ku u premtoi zgjidhje të problemit me energji elektrike.
“Problemet ekonomike, energjetike e siguria janë vetëm disa nga shqetësimet që po i shohim dhe zgjidhja e këtyre bëhet vetëm nga njerëz që kanë veç vepra. Koalicioni ynë për Kosovën fituese, veç vepra, do të angazhohet fuqishëm për ta rikthyer edhe një herë vendin tonë në rrugën e drejtë, bashkë me partnerët tanë ndërkombëtarë”, është shprehur Limaj.
Në ditën e dymbëdhjetë të fushatës zgjedhore, koalicioni ka vazhduar me tubime edhe në disa fshatra të Rahovecit dhe Suharekës.