Arbëri

Haradinaj: Kurti po mashtron, Kosova u bë vend i varfër e njerëzit po largohen përditë

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti për mashtrim të qytetarëve, teksa ka thënë se e varfëroi vendin dhe ka bërë që njerëzit të largohen.

Sipas Haradinajt, Kurti i është rikthyer gjuhës së tij të mashtrimit, sikurse gjatë zgjedhjeve të fundit nacionale. 

“Gjuha e sotme e Albin Kurtit, është ajo gjuha e tij e mashtrimit e para zgjedhjeve të fundit. Edhe atëherë i mashtronte qytetarët se sa do të lirohet vaji, sheqeri, buka, rryma e se si do të bënte çudi për mirëqenien e popullit, por nën qeverisjen e tij, Kosova u bë një vend i varfër e me njerëz që largohen përditë prej tij”, ka shkruar Haradinaj në Facebook. 

Haradinaj ka shtuar se me qeverisjen e Kurtit, të gjithë në Kosovë kanë mbetur mbrapa.

“Edhe sot mashtron se si qeveria e tij e paska pasur pakon më të madhe mbështetëse për qytetarët në Ballkan, gjë që është mashtrim ordiner. I përmend ndihmat sociale prej 100 eurove si sukses të madh, e nuk i përmend pagat më të ulëta në Ballkan. E përmend subvencionimin e rrymës, e nuk thotë se rritja e çmimit të energjisë është shumëfishuar nën qeverisjen e tij. E përmend përballjen me inflacionin, por nuk thotë se çmimet e artikujve elementar të jetesës janë bërë të papërballueshëm edhe për familjet me nga 2 e 3 të punësuar. Në Kosovë sot të gjithë kanë mbetur mbrapa. Kjo është e vërteta e jo mashtrimet që kryeministri i ka në diskursin e tij, por që ato marrin përmasa neveritëse në prag të zgjedhjeve”, është shprehur ai.