Arbëri

Haradinaj kritikoi Kurtin për deklaratat ndaj biznesmenëve në Pejë

Koalicioni AAK, Nisma, Konservatorët, Intelektualët dhe Ideal, mbajti tubim zgjedhor në Pejë, pa kandidatin për kryeministër, Ramush Haradinaj. Simpatizantëve iu drejtua kandidati për deputet, Daut Haradinaj, i cili pati kritika ndaj kandidatit për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti

Pa pjesëmarrjen e kandidatit për kryeministër, Ramush Haradinaj, koalicioni AAK, Nisma, Konservatorët, Intelektualët dhe Ideal, ditën e shtatë të fushatës zgjedhore e përqendroi në tubimin zgjedhor në Pejë.

E shkaku i mospranisë së Haradinajt, është thënë të jetë inaugurimi i presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, që do të mbahet më 20 janar.

“Në mungesë të liderit që sot nuk është në Kosovë, por po merr pjesë në inaugurimin e presidentit Donald Trump”, është thënë në fillim të tubimit nga prezantuesi.

Përveç kandidatit për kryeministër, në tubim nuk ishin të pranishëm as drejtuesit e subjekteve partnere në koalicion.

Qytetarët që u mblodhën në një sallë eventesh në fshatin Vitomiricë, iu drejtua kandidati për deputet, Daut Haradinaj. Ai komentoi deklaratën e kandidatit për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, për pronarët e njërit nga bizneset në Pejë.

“Prandaj me të drejtë ai zotnia vjen në Pejë dhe i ofendon operatorët tanë sepse ia kemi dhënë besimin, sepse vendimin e parë që e ka marrë kjo qeveri, po e përsëris se katër vjet njerëzit harrojnë; vendimin e parë që e ka marrë kjo qeveri ka qenë anulimi i taksës 100 për qind për produktet serbe dhe ata mendojnë që ka për t’u kthyer Braqa Kariq apet në Pejë, por jo se ende janë banditët këtu dhe ia kallëzojnë si në kohë të 98-99-s”, ka thënë ai.

Haradinaj ka drejtuar edhe kritika të tjera ndaj ekzekutivit.

“Kjo qeveri që në mendjen e saj Dukagjinin e quan Metohi, nuk e ka një projekt të vetëm që kishim mundur të krenohemi”, ka thënë Haradinaj.

Me Kurtin u mor edhe kandidati tjetër për deputet, Shemsedin Dreshaj, që politikat e Qeverisë së kryeministrit aktual i kualifikoi diskriminuese për komunat.

“9 shkurti është dita D për Kosovën, dita kur duhet t’i thuhet stop eksperimentit joefikas që e kanë bërë në vend. Duhet t’i themi stop diskriminimit, stop politikën e Kurtit që është diskriminuese e izoluese”, ka thënë Dreshaj.

Programi qeverisës i koalicionit është i ndërtuar mbi katër shtylla: anëtarësimi direkt i Kosovës në NATO, zhvillimi ekonomik, përmbyllja e dialogut me Serbinë me njohje reciproke e integrim në BE, si dhe ndalja e braktisjes së Kosovës nga qytetarët.

Programi qeverisës i koalicionit përfshin edhe dyfishim të pagave në sektorin publik dhe rritje të pagës minimale mbi 500 euro. Po ashtu ky koalicion ka premtuar formimin e “Ministrisë për Familje”.

Në programin qeverisës të koalicionit përfshihet edhe mbështetja për gratë dhe shtesa për fëmijët e porsalindur. 1500 euro është shuma që ky koalicion është zotuar se do ta ndajë për familjet që presin fëmijën e parë, 2500 për të dytin dhe 3500 për të tretin.

Në programin qeverisës, koalicioni është zotuar në ngritjen e cilësisë në arsim. Rritje e buxhetit për arsim në 6% të GDP-së, përmirësimi i infrastrukturës arsimore, rritja e pagës për punëtorët e arsimit në të gjitha nivelet për 50%. Po ashtu koalicioni ka premtuar reforma në organizimin e shkollave dhe arsimit të lartë, si rrjetëzimi i shkollave duke i bashkuar paralelet e ndara dhe shkollat fillore me më pak se 50 nxënës.

Një premtim tjetër i paraqitur ne programin qeverisës të tyre është ndryshimi në politikat makroekonomike dhe fiskale. Ky koalicion ka premtuar përgjysmim të TVSH-së për të gjitha ushqimet më jetike të shportës bazë të konsumit, përjashtim apo ulje nga tatimi për barnat dhe shërbimet shëndetësore, ulje apo kompensim të TVSH-së për pjesën e domosdoshme të furnizimit me energji elektrike të konsumatorëve me asistencë, familjet e dëshmorëve, invalidëve dhe veteranëve të luftës së UÇK-së. Po ashtu janë zotuar për heqje ose zvogëlimi i akcizës dhe taksës së naftës për bujqësinë.