Arbëri

Haradinaj: Ka ardhur koha për ndëshkimin e Vetëvendosjes

Koalicioni mes AAK-së, Nismës, Intelektualëve, Konservatorëve e Ideal ka mbajtur në Deçan tubim me të rinjtë e kësaj komune. Nga komuna ku qeveris në nivel lokal AAK-ja, kandidati për deputet i këtij koalicioni, Daut Haradinaj, kritikoi Qeverinë Kurti për punën katërvjeçare

Për pjesëmarrjen në tubimin e koalicionit mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Nismës Socialdemokrate, Intelektualëve, Konservatorëve e Idealit, të rinjtë e Deçanit u shpërblyen me një performancë nga artisti i njohur, me nofkën Majk.

Por para performancës, atyre iu drejtuan disa nga kandidatët për deputetë nga radhët e këtij koalicioni.

Në komunën bastion të AAK-së, kandidati Daut Haradinaj adresoi kritika për Qeverinë e kryeministrit Albin Kurti.

“Pikërisht kjo që i ofendoi veteranët e nënshkroi dhe ia fali Sava Janiqit tokën e pasurinë e Deçanit, prandaj, prej juve që jemi këtu prezentë po ju them, nëse ka banditë, kryebanditi është ajo”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka theksuar se ka ardhur koha për ndëshkimin e qeverisjes katërvjeçare të Lëvizjes Vetëvendosje, pasi, siç ka thënë, ajo e neglizhoi rajonin e Dukagjinit.

“Kanë ofruar parajsën për Dukagjinin, por vendimi i parë që e ka marrë është heqja e taksës 100 për qind ndaj Serbisë, vendimin e dytë që e ka marrë kjo qeveri është ndalja e ndërtimit të autostradës së Dukagjinit, vendimin e tretë që e ka bërë kjo qeveri ka qenë anulimi i rrugës Deçan-Plavë”, ka theksuar ai.

Kandidati tjetër për deputet, Besnik Tahiri, e quajti koalicionin që i prin AAK-ja, si garanci për ndryshim të sigurt për mirëqenien e të rinjve.

“Prej një deri 110 janë gra e burra të dëshmuar në detyrën e vet, në punë e vet, por edhe në familjen e tyre. Secili i ri dhe secila e re, s’do të ndihet i diskriminuar në programin tonë sepse është i veçantë dhe konkret, që do të kthejë besimin në shtet”, ka thënë Tahiri.

E kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka thënë se planprogrami qeverisës i koalicionit bazohet në zhvillim ekonomik.

“Të bashkohemi që policin ta kemi tamam polic, mësimdhënësin tamam mësimdhënës, e punëtorin shëndetësor po ashtu, doganierin, zjarrfikësin, ta kemi nëpunësin publik e privat ashtu siç duhet trajtuar dhe të kemi zhvillim ekonomik e të mos merremi me tema të kota”, ka thënë Ramosaj, i cili është edhe kandidat për deputet.

Ndërkaq, kandidati për kryeministër i koalicionit, Ramush Haradinaj, nuk qe prezent në këtë tubim. Ai ndodhet në SHBA për të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit të ri amerikan, Donald Trump.

Programi qeverisës i koalicionit është i ndërtuar mbi katër shtylla: anëtarësimi direkt i Kosovës në NATO, zhvillimi ekonomik, përmbyllja e dialogut me Serbinë me njohje reciproke dhe integrim në BE, dhe ndaljen e braktisjes së Kosovës nga qytetarët.

Programi qeverisës i koalicionit përfshin edhe dyfishim të pagave në sektorin publik dhe rritje të pagës minimale mbi 500 euro. Po ashtu ky koalicion ka premtuar formimin e Ministrisë për Familje.

Në programin qeverisës të koalicionit përfshihet edhe mbështetja për gratë dhe shtesa për fëmijët e porsalindur. 1500 euro është shuma që ky koalicion është zotuar se do ta ndajë për familjet që presin fëmijën e parë, 2500 për të dytin dhe 3500 për të tretin.

Në programin qeverisës koalicioni është zotuar edhe për ngritjen e cilësisë në arsim. Kjo përfshin, rritjen e buxhetit për arsim në 6 për qind të GDP-së, përmirësimin e infrastrukturës arsimore, rritjen e pagës për punëtorët e arsimit në të gjitha nivelet për 50 për qind. Po ashtu koalicioni ka premtuar reforma në organizimin e shkollave dhe arsimit të lartë, si rrjetëzimin e shkollave duke i bashkuar paralelet e ndara dhe shkollat fillore me më pak se 50 nxënës.

Një premtim tjetër i paraqitur në programin e koalicionit është ndryshimi në politikat makroekonomike dhe fiskale. Kjo përfshin përgjysmim të TVSH-së për të gjitha ushqimet më jetike të shportës bazë të konsumit, përjashtim apo ulje nga tatimi për barnat dhe shërbimet shëndetësore, ulje apo kompensim të TVSH-së për pjesën e domosdoshme të furnizimit me energji elektrike të konsumatorëve me asistencë, familjet e dëshmorëve, invalidëve dhe veteranëve të luftës së UÇK-së. Po ashtu, koalicioni është zotuar edhe për heqje ose zvogëlimi i akcizës dhe taksës së naftës për bujqësinë.