Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ia ka përmendur kryeministrit Albin Kurtit, siç i ka quajtur ai, gropat e zeza buxhetore dhe “arritjet historike” të Qeverisë.
Haradinaj ka thënë se dëmi prej 300 milionë eurosh nga sanksionet e BE-së dhe SHBA-së janë gropë e madhe e buxhetit.
Ai madje edhe e ka akuzuar Kurtin se e ka marrë statusin e veteranit të luftës pa e veshur kurrë uniformën e UÇK-së dhe pa prekur kurrë armë me dorë.
“Kjo s'ka qenë e lehtë, por është historike përnjëmend edhe goxha njëfarë grope. Mbi 250 milionë tenderë njëburimorë (vrima të lavdishme buxhetore) për dosta e miq, janë historike por aspak për të mirë dhe organet e drejtësisë herët a vonë do të kenë shumë punë”, ka shtuar ai.
Haradinaj tutje ka thënë se për katër vjet qeverisje, asnjë njohje e asnjë anëtarësim nuk ka ndodhur.
Sipas Haradianjt, të dhënat e ASK-së tregojnë se gjatë qeverisjes së Kurtit mbi 200 mijë qytetarë e kanë braktisur Kosovën.
“Gropa apo vrima të mëdha këto që ky kryeministër e kjo qeveri, nuk kanë as dije, as vullnet e as kohë t'i sanojnë. Ata tash janë orientuar nga zgjedhjet e radhës që janë mashtrimi i radhës”, ka theksuar më tej ai.