Arbëri

Haradinaj e quan Qeverinë Kurti “satelit të Serbisë”

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj

Foto: Alban Bujari

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka quajtur “satelite të Serbisë”, Qeverinë Kurti.

Në një shkrim në Facebook, Haradinaj ka akuzuar Qeverinë për “pajtim” për shtrenjtim të energjisë dhe për mohim të pagave të orëve shtesë të policëve.

“Qeveri që në mesnatë pajtohet për rritje të çmimit të energjisë, e për dritë të diellit pajtohet t’u mohohet paga e orëve shtesë të policisë, nuk është qeveri e Kosovës, është satelit i Serbisë”, ka shkruar ai në Facebook.

Një ditë më parë, Qeveria përmes Ministrisë së Ekonomisë njoftoi për komentet për propozimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për shtrenjtim prej 15 për qind për rrymën nga prilli. Aty Qeveria propozoi shtimin e blloktarifave. Komentet Qeveria ka thënë se i ka përqendruar në “mënyrën se si të mund të ulet niveli i propozuar i rritjes dhe shpërndarjen e barrës së rritjes brenda grupeve të konsumatorëve”.

E po të njëjtën ditë, Sindikata e Policisë së Kosovës u ankua për vonesat në pagesën e ndërrimit të natës dhe orëve shtesë për zyrtarët policorë. Megjithatë, Ministria e Financave u shpreh se përgjegjësia për këtë i takon organizatave buxhetore përgjegjëse.