Arbëri

Haradinaj: Doracaku mbi edukimin seksual është sulm ndaj familjes

Ramush Haradinaj

Foto: Driton Paçarada

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, e ka quajtur sulm ndaj familjes doracakun e edukatës seksuale për të cilën është diskutuar së fundmi.

Ai ka thënë se pas dështimit në rrafshin politik e diplomatik, Qeveria “i ka kthyer bateritë mbi familjen, si themel jo vetëm të shtetit, por edhe të traditës e qenësisë sonë”.

Haradinaj ka thënë se iu ka kërkuar komunave ku udhëheq AAK-ja që ta “hedhin poshtë këtë paçavure si doracak”.

“Pas dështimeve në rrafshin politik e diplomatik, në politikën e brendshme e të jashtme, pas izolimit ndërkombëtar të Kosovës e pas vënies së vendit nën sanksione, tash bateritë e tij i ka kthyer mbi familjen, si themel jo vetëm të shtetit por edhe të traditës e qenësisë sonë. Por kjo nuk do të kalojë, jo vetëm në komunat e udhëhequra nga Aleanca, të cilave u kam kërkuar ta hedhin poshtë këtë paçavure si doracak, po askund në Kosovë. Familja jonë ka themele të lashta që nuk lëkunden kollaj, aq më pak nga ata që përditë e më shumë po identifikohen si antikombëtare”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Ditëve të fundit në opinion është kritikuar përmbajtja e doracakëve për mësimdhënësit gjatë ligjërimit të temave mbi edukimin seksual dhe shëndetin riprodhues. Opozita e ka kritikuar pushtetin për miratimin e doracakëve, që sipas tyre nuk përkon me moshën e nxënësve.

Ndërsa pushteti e ka cilësuar të gjithë këtë debat, pjesë të fushatës elektorale.