Deçani është cilësuar xhevahir i turizmit malor nga Ramush Haradinaj, i cili është kandidat për kryeministër i koalicionit që kryesohet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Ai është zotuar se me të në krye të Qeverisë, këtë komunë do ta shndërrojë në adresë botërore të turizmit
Me një varg epik të Lahutës së Malcisë të Gjergj Fishtës, e ka përshëndetur turmën në Deçan, kandidati për kryeministër i koalicionit “Për Kosovën Fituese”, Ramush Haradinaj. “I miri kurrë nuk ngutet prej trimnie, por jo pse tutet”. Me këtë e nisi fjalimin Haradinaj të dielën.
Deçani është cilësuar xhevahir i turizmit malor nga Haradinaj, i cili është kandidat për kryeministër i koalicionit mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Nismës Socialdemokrate, Forumit të Intelektualëve E30, Konservatorëve dhe Idealit.
Në tubimin me qytetarët e Deçanit, Haradinaj është zotuar ta bëjë këtë komunë adresë botërore të turizmit.
“Na ka bekuar zoti me bjeshkët ma të mira dhe me mundësitë më të mira, e po ju siguroj që prej krejt bote kanë me ardhë në Deçan me skiju, por edhe me kalu kohë, ka me ndodhë shpejt se po fitojmë”, ka thënë ai.
Ai qytetarëve u ka premtuar se turizmi dhe bujqësia do të bëhen shtylla të zhvillimit ekonomik të Komunës.
Studentëve u ka premtuar bursa, e rinisë mbështetje financiare pa kthim nga shteti për të filluar biznese të vogla.
Bujqve u ka premtuar trefishim të subvencioneve, bizneseve partneritet e lehtësira për rritje të biznesit.
E nga palestra sportive në Isniq, kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, u ka dërguar një porosi të gjithë qytetarëve të rajonit të Dukagjinit.
“Përmes Deçanit, një porosi edhe për Dukagjinin, nëse dëshironi të shkoni drejt veprave të mëdha e fitoreve të reja, ju e dini kush i sjell fitoret, jo fjalët por veprat, ju këtu i keni njohësit e fitoreve, kandidatët, komuna e Deçanin gjithë kjo listë këta u kanë sjellë dhe dërguan vazhdimit drejt fitoreve”, ka thënë Limaj.
Kryetari i Deçanit dhe njëkohësisht kandidati për deputet, Bashkim Ramosaj ka thënë se Qeveria Kurti është duke u tallur me qytetarët.
“Duhet me guxu me pasë një program, duhet me guxu me mbajtë fjalën dhe me tregu çfarë kemi bërë për katër vjet përpos që na keni humbë kohën. Sot i njëjti subjekt politik nuk ka program dhe del prapë me tallë këtë popull”, ka thënë Ramosaj.
E kandidati për deputet nga ky koalicion, Arton Demhasaj, ka thënë se Qeveria Kurti nuk ka i përmbushur zotimet.
“Këta katër vjet, Kosova nuk ka parë asgjë të mirë nga ky njeri që ishte në pushtet përpos izolim, izolim nga brenda dhe izolim nga jashtë. Pra, të nderuar qytetarë, ai që premtoi bashkim kombëtar, i përçau shqiptarët kudo që ishin. Ai që premtoi luftimin e korrupsionit, korrupsioni u bë pjesë e institucioneve publike”, ka thënë ai.
Koalicioni ka mbajtur tubim elektoral edhe me qytetarët e Junikut të dielën. Haradinaj është zotuar se në Junik do të vazhdojnë investimet infrastrukturore dhe investimet për zhvillimin e turizmit. Edhe qytetarëve të kësaj komune u ka premtuar trefishim të subvencioneve për bujqësi dhe të rinjve grante pa kthim që të hapin biznese.
Dhjetë prioritetet e koalicionit nisin me anëtarësimin e Kosovës në NATO, e miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me Bashkimin Evropian. Në listën e prioriteteve është renditur rritja ekonomike vjetore deri në 7 për qind e 1 miliard euro për bizneset e reja dhe ato prodhuese-eksportuese, pastaj pagë mesatare 1 mijë euro e pensione mbi 500 euro. Po ashtu është premtuar edhe ndërtimi i një termocentrali me kapacitet 1500 MW. Në kuadër të prioriteteve është përfshirë edhe përmbyllja e projekteve rrugore që kanë mbetur në gjysmë dhe ndërtimi i autostradës së Dukagjinit.
“Rrymën do ta prodhojmë vetë dhe nuk do të lejojmë të na e caktojë çmimin mafia energjetike. Energjia nuk do të jetë malli më i shtrenjtë. Do ta ulim çmimin për 20 për qind. Por për t’u zhvilluar, së pari duhet të kemi siguri, e kjo arrihet vetëm duke qenë krejt Kosova në NATO”, ka thënë Haradinaj në Deçan.
Po ashtu në kuadër të dhjetë premtimeve është reforma e thellë në arsim dhe në sistemin shëndetësor, si dhe përfshirja e mërgatës në vendimmarrje dhe pensione pa shkëputje nga puna për veteranët dhe invalidët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.