Arbëri

Haradinaj: Afrim Bunjaku ra heroikisht në mbrojtje të paqes

Ramush Haradinaj

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka deklaruar se rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ra heroikisht në mbrojtje të paqes, sigurisë dhe jetës së qytetarëve.

Ai ka bërë homazhe te varri i tij dhe ia ka vizituar familjen në Samadrexhë të Vushrrisë, duke thënë se sakrifica e Bunjakut “është nder i përhershëm për Kosovën”.

Haradinaj është shprehur se Kosova dhe qytetarët do ta kujtojnë përgjithmonë rreshterin e vrarë në Banjskë.

“Në njëvjetorin e rënies, zhvillova homazhe pranë varrit të tij dhe vizitova familjen e tij në Samadrexhë të Vushtrisë. Me këtë rast, bashkëshortes së tij, Lumnijes, vajzës Arbenitës, djemve Jetlumit e Fatlumit dhe gjithë familjes Bunjaku, u shpreha respektin e përjetshëm për sakrificën e Afrimit, që është një nder i përhershëm për Kosovën dhe të gjithë qytetarët e saj. Kosova dhe qytetarët e saj do ta kujtojnë përgjithmonë me respekt dhe përulje heroin Afrim Bunjaku”, ka shkruar deputeti i AAK-së.