U mbyll pa njoftim për autobusë e taksi.
Kështu “Xhorxh Bush” do të shfrytëzohet për aktivitete verore nga Universiteti i Prishtinës.
E edhe pse këto aktivitete mund të zhvilloheshin brenda kampusit universitar, por edhe në sheshet e tjera të kryeqytetit, tendat u vendosën në bulevardin “Xhorxh Bush” me ç ‘rast u ndalua edhe qarkullimi i autobusëve dhe i taksive në këtë pjesë.
Rektori i Universitetit të Prishtinës, Qerim Qerimi, tha se edhe pse kishin në mendje disa zona të tjera të qytetit, së bashku me Komunën e Prishtinës vendosën që destinacion të jetë “Xhorxh Bushi”.
Qerimi tutje deklaroi se përveç të tjerash Universiteti Veror do të jetë edhe një promovim i mirë i kryeqytetit.
Komuna e Prishtinës në anën tjetër njoftoi mëngjesin e së hënës për mbyllje të rrugës e zhvendosje të autobusëve urbanë nëpër “Bill Clinton”.
“Kryeqyteti filloi përgatitjet për organizimin e aktiviteteve të shumta, andaj ju njoftojmë se bulevardi “Xhorxh Bush” do të jetë i mbyllur edhe për transportin publik dhe mjetet tjera motorike nga data 03.07.2023 deri më 14.07.2023.Ju falënderojmë për mirëkuptim”, thuhet në njoftimin e komunës.
Kurse për disa qytetarë kjo ishte një ide e mirë, e për disa të tjerë veprim i pamenduar mirë.
Bulevardi “Xhorxh Bush” është mbyllur për qarkullimin e transportit edhe disa herë muajve të fundit, si për festa të ndryshme, koncerte, por edhe për promovimin e bizneseve private.