Arbëri

Hapet pikëkalimi i përbashkët kufitar mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut

Hapet pikëkalimi i përbashkët kufitar mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut

Hapet pikëkalimi i përbashkët kufitar mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut

Të shtunën është përuruar pikëkalimi i përbashkët kufitar mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

Kalimet kufitare mes shteteve tani do të bëhen me vetëm një ndalesë dhe një kontroll në hyrje të secilit shtet.

Regjimi i ri do të bëhet sipas modelit “hyrje-hyrje” dhe do të zbatohet në pikat kufitare Hani i Elezit/Bllacë dhe Glloboqicë/Jazhincë, ndërsa policët do të punojnë në një objekt të përbashkët. Të dhënat e hyrjeve do të shkëmbehen në kohë reale përmes një sistemi të përbashkët teknologjik. 

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka thënë se kjo do t’u kursejë kohë qytetarëve të të dyja shteteve.

Kryeministri Albin Kurti ka theksuar se lehtësimi i qarkullimit në kufi do të forcojë bashkëpunimin në shumë fusha mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

“Tani e tutje qytetarët do kontrollohen vetëm në hyrje të shtetit pritës dhe të dhënat do shkëmbehen në kohë reale përmes një sistemi të përbashkët teknologjik... Pritjet e qytetarëve më në fund do të reduktohen e kjo do t'i kontribuoj rritjes ekonomike, shkëmbimit tregtar dhe lidhjeve mes qytetarëve tanë”, ka thënë ai.

E, kryeministri maqedon, Hristijan Mickoski, ka theksuar se kufiri i përbashkët do jetë urë lidhëse për shtetet.

"Për qytetarët, kjo do të thotë më shumë kohë për familjen, për punën, për jetën. Sot, këtu, në mënyrën më të mirë tregojmë se kufiri nuk duhet të jetë mur. Kufiri mund dhe duhet të jetë ura jonë e përbashkët. Një urë që lidh njerëz, ide, mundësi. Një urë përmes së cilës flitet për besim, bashkëpunim, shkëmbim ekonomik, zhvillim të kulturës dhe turizmit".