*Teksti dhe storja janë përgatitur në kuadër të projektit “Dëgjonani”!
Të rinj me aftësi të kufizuara përballen me shumë barriera për t’iu qasur hapësirave akademike në universitetet publike. Ka nga ta që u drejtohen kolegjeve private vetëm për shkakun që në disa nga to ka infrastrukturë që mundëson lëvizjen deri te sallat dhe amfiteatrot. Njohësit e arsimit thonë se me gjithë promovimet e gjithëpërfshirjes, në praktikë pak bëhet për këtë kategori studentësh.
Dëshirën për të studiuar në Universitetin e Prishtinës, Elmi Fazliut nuk ia ndali gjendja e tij fizike. Por, barrierë u bë infrastruktura në fakultete.
Pavarësisht dëshirës së madhe për të studiuar në universitetin më të madh publik, ai u detyrua që t’i drejtohej një institucioni privat, infrastruktura e të cilit mundëson qasjen për karrocat, për të cilat janë të lidhur të rinjtë si Elmiu.
“E patë edhe më herët, edhe parkingjet për persona me aftësi të kufizuara uzurpohen. Gjithashtu edhe qasja në fakultet, edhe pse ekziston shumicën e rasteve nuk i plotëson kushtet dhe standardet e nevojshme për personat me aftësi të kufizuara e, thënë më ndryshe, janë veç sa për t’u dukur aty”, ka thënë ai.
Elmiu numëron sfidat që i shoqërojnë personat me aftësi të kufizuara dhe thotë se ata që s’mund t’i përballojnë mbyllen në shtëpi, nuk shkollohen e as nuk punësohen.
“Mungon qasja prej momentit kur ata dalin nga shtëpia. Pra mungon qasja në trafikun urban, në autobus, mungon qasja në trotuare, mungon qasja në rrugë kështu që shkollimi për një person me aftësi të kufizuara është një mision shumë, shumë, shumë i vështirë”, ka thënë ky student.
Institucionet publike vazhdimisht promovojnë gjithëpërfshirjen në arsim. Por, deklaratat rrallë shoqërohen me veprime.
Njohësi i arsimit, Rinor Qehaja, thotë se institucionet publike duhet të ndërrojnë qasje.
“Pra ka një frymë përkrahëse nga një këndvështrim ligjor, mirëpo mungon një frymë përkrahëse nga një këndvështrim operacional dhe praktik ku këta studentë përfitojnë nga këto ligjërata”, ka thënë Qehaja.
Përveç mungesës së infrastrukturës, fakultetet nuk ofrojnë as metodologji të mësimdhënies dhe ligjërimit të përshtatshëm.
Kjo paraqet problem veçanërisht për studentët e verbër ose me shikim të dobët, thotë Bajramshahe Jetullahu, e cila është drejtoreshë e komunitetit të grave të verbra të Kosovës.
“Kur alfabeti Braille nuk ekziston, nuk është, librat nuk janë të shkruara në alfabetin Braille e as nuk kemi audio-books, atëherë mund ta vlerësoni vetë se sa janë institucionet e përgjegjshme për këtë kategori”, ka thënë Jetullahu.
Në Universitetin e Prishtinës nuk treguan për masat që mund të merren për t’ua siguruar qasjen në ambientet akademike personave me aftësi të kufizuara.
Prorektorja Rozafa Basha tha se për ta mbështetur këtë kategori UP-ja ka inauguruar Qendrën për Studentë me Nevoja të Veçanta në prill të këtij viti, si dhe i mbështet ata edhe në forma të tjera.
“Universiteti i Prishtinës ka ofruar edhe bursa për studentët me nevoja të veçanta, me të cilat synohet të sigurohet mbështetje financiare për studentët, duke u mundësuar atyre qasje të barabartë në arsim dhe të arritura akademike”, ka thënë prorektorja Basha.
Krahas universiteteve publike, edhe institucionet si Biblioteka Kombëtare kanë mungesë infrastrukture për personat me aftësi të kufizuara. Qasja në zyra, në amfiteatrin kryesor dhe në salla të leximit u bë e mundur tek në qershor të këtij viti, nëpërmjet një projekti të realizuar me “Handikosin”.