Arbëri

Hapësirat mësimore brenda Filologjikut s’do të jenë të gatshme deri më 15 tetor

Punimet për rinovimin e hapësirës së brendshme të Fakultetit të Filologjisë të universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren parashihet të vijojnë së paku deri në mestetor. Ndonëse viti i ri akademik ka nisur nga 1 tetori, studentët i kualifikuan ndërhyrjet si të nevojshme shkaku i sigurimit të qasjes për persona me aftësi të kufizuara.

Ndonëse ka nisur viti i ri akademik, njëri nga objektet e universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren është ende në fazën e rinovimit.

Drejtues të Universitetit pranuan se hapësirat mësimore brenda Fakultetit të Filologjisë nuk do të jenë të gatshme së paku deri më 15 tetor, por thanë që puna akademike nuk do të ndërpritet, ngase në shfrytëzim do të vihen sallat e fakulteteve të tjera përbrenda kampusit universitar.

E përfaqësues të studentëve vlerësuan se çrregullime në procesin mësimor mund të ketë, porse ndërhyrjet në objekt i kualifikuan si të nevojshme, jo vetëm shkaku i vjetërsisë, por edhe të krijimit të qasjes për personat me aftësi të kufizuara.

“Ka pasur nevojë shumë për ndërhyrje, sepse ka qenë një objekt i vjetër dhe siç e dimë edhe i gjithë Universiteti buron nga ky objekt dhe për këtë arsye ka pasur shumë nevojë dhe besoj që do të jetë shumë në dobi të studentëve”, ka deklaruar Anesa Emini, senatore nga radhët e studentëve.

Rektori Mentor Alishani bëri të ditur se puna akademike në Fakultetin e Filologjisë nuk do të ndikohet nga rinovimi i objektit, pasi që mësimi do të zhvillohet në hapësirat e fakulteteve të tjera.

“Sa u përket punimeve në Fakultetin përkatës operatori ekonomik, i cili ka marrë përsipër t’i kryejë punimet, planin dinamik të punimeve e ka të paraparë për 150 ditë pune. Mirëpo kemi premtim nga operatori që më së largu deri më 15 tetor të kryhen të gjitha punimet brenda sallave të mësimit. Është ky hendeku dyjavor derisa sallat të jenë funksionale, të cilat do të zëvendësohen brenda kampusit nëpër hapësirat e tjera, sepse kemi 6 objekte të shpërndara brenda kampusit. Nuk është që nuk do të mbahet mësimi fare, por do të shpërndahet, do të shfrytëzohen hapësirat apo sallat e mësimit në objektet e tjera deri në finalizimin e sallave të mësimit në këtë objekt”, ka bërë të ditur Alishani.

Rehabilitimi i Fakultetit Filologjik parasheh punime në aspektin e arkitekturës, elektrikes, vendosjes së shkallëve emergjente kundër zjarrit, si dhe të ashensorit për krijimin e qasjes për personat me aftësi të kufizuara, që është kushtëzuar nga Agjencia e Akreditimit.

Në këtë objekt, vjet janë rinovuar hapësirat e Fakultetit të Edukimit, me qëllim të krijimit të kushteve më të mira për studentët dhe profesorët. Universiteti “Ukshin Hoti” në Prizren u themelua më 2009, si i dyti publik në Kosovë, dhe e nisi punën me gjeneratën e parë të studentëve në vitin 2010.