Kandidati për kryeministër i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, tha se ka vizituar Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin në Hagë, duke u shprehur se “Kosova me padurim po i numëron javët dhe ditët e rikthimit të tyre”.
Hamza ka shkruar në Facebook të hënën se Thaçi e Veseli ishte të fortë “me plotë shpresë se e vërteta e luftës sonë çlirimtare së shpejti do të triumfojë”.
“Edhe një herë në Hagë për t'i vizituar presidentin Thaçi dhe kryetarin Veseli. I gjeta të fortë dhe i lashë me plot shpresë se e vërteta e luftës sonë çlirimtare së shpejti do të triumfojë. Me qëndrueshmërinë e tyre, me besimin e palëkundur në drejtësinë, në Kosovën tonë dhe aleatët tanë, ata vazhdojnë të jenë frymëzim për të gjithë ne. E vërteta historike, ajo që populli ynë e ka përjetuar, padyshim se do të rikonfirmohet edhe në Hagë”, ka thënë Hamza.
Gjatë muajit mars, ish-presidentin Hashim Thaçi e ka vizituar edhe kreu i PDK-së, Memli Krasniqi.
Ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi po gjykohen për krime lufte në Dhomat e Specializuara.