Ditën e dytë të fushatës, Partia Demokratike e ka zhvendosur në Komunën e Ferizajt ku edhe qeveris në nivel lokal. Aty kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, teksa ka kritikuar qasjen sipas tij, diskriminuese të qeverisjes qendrore, u ka premtuar ferizajasve përfundim të të gjitha projekteve të lëna në gjysmë e edhe nisje të projekteve të reja
Problemin e ferizajasve me furnizim me energji elektrike, kandidati për kryeministër nga PDK-ja, Bedri Hamza e shfrytëzoi për të ironizuar me punën e qeverisjes Kurti.
“Në energji po ju pyes edhe pse e di. Qysh e kaluat vitin e ri ju Ferizaj me furnizim me energji elektrike”, ka deklaruar Hamza.
Ditën e dytë të fushatës, Partia Demokratike e Kosovës e vazhdoi në komunën që qeverisë në nivel lokal. Qytetarëve të Ferizajt, Hamza u premtoi furnizim të vazhdueshëm me energji elektrike e edhe përfundim të një varg projekteve kapitale.
“Do ta përfundojmë spitalin e Ferizajt, do ta përfundojmë kyçjen në autostradë, do ta përfundojmë ujëmbledhësin në Jezerc, do ta përfundojmë stadiumin, ngrohjen qendrore dhe sigurisht se do ta lidhim autostradën Arbër Xhaferi me autostradën e kombit e cila e shkurton shumë rrugën edhe të qytetarëve të Ferizjat. Garancë për këtë e keni kryetari e Komunës së Ferizajt”, u shpreh Hamza.
Hamza premtoi po ashtu themelim të Gjykatës së Punësm e cila sipas tij, do të shërbejë për të drejtat e punëtorëve, digjitalizim të sistemit arsimor, mësim gjithëditor e dyfishim të buxhetit për barna esenciale.
Në palestrën “Bill Clinton” në Ferizaj, u prezantuan edhe 7 kandidatët për deputetë nga kjo anë, dy prej tyre aktual.
Kryetari i Ferizajt tha se qasjes diskriminuese të qeverisë ndaj Ferizajt po i vije fundi.
“Ferizaj është shembulli më tipik i qeverisjes se PDK-së. Për ta shndërruar tërësisht një qytet në një qendër urbane, model e modern për pak vite qeverisje me pak buxhet e pa përkrahje nga qeveria qendrore. Ferizajasit e kanë provuar fuqinë vendimmarrëse të PDK-së për ta bërë ëndrrën realitet”, ka thënë Aliu.
E kryetari i partisë, Memli Krasniqi u mburr me projektet e përfunduara nga kryetari i Ferizajt, Aliu, duke e quajtur shembull të partisë që drejton.
“PDK e ka rikthy pulsin. PDK po rikthehet si forca kryesore politike në vend, kjo është partia e të së kaluarës sonë të lavdishme, e së tashmes sonë krenare dhe mbi të gjitha Partia e së ardhmes premtuese për një Kosovë më të mirë për secilin qytetar të vendit tonë ane e mbanë. Se kjo është partia e Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit. Kjo është partia që e ka në ADN Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”, ka thënë ai.
Gjatë ditës, Hamza është takuar edhe me përfaqësues të biznesve në Shtime, e po ashtu ka vizituar fshatit Reçak.