Kandidati për kryeministër i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka thënë se takimi i së hënës midis kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të partisë së cilës ai i takon, Memli Krasniqi, nuk duhet të shihet si diçka e jashtëzakonshme.
Ai ka deklaruar se takimet e tilla duhet të shpeshtohen.
“Takimi i mbrëmshëm nuk duhet të shihet si diçka e jashtëzakonshme. Përkundrazi, takime të tilla unë pres të shpeshtohen në vendin tonë në të ardhmen, në mes të gjithë spektrit politik, sepse ky ka qenë dhe do të jete modeli im i qeverisjes. Bashkëpunimi dhe dialogu në interes të qytetarëve dhe shtetit – është mënyra se si unë e shoh funksionimin e përgjegjshëm mes akterëve politikë”, ka shkruar ai në Facebook.
Hamza e ka vlerësuar si lajm të mirë që zgjedhjet e parakohshme janë pjesë e diskutimeve publike.
“Është lajm shumë i mirë që tashmë zgjedhjet e parakohshme, të cilat PDK i ka kërkuar për një kohë të gjatë, janë pjesë e diskutimeve publike – përfshirë edhe propozimet konkrete për datën e tyre”, ka theksuar ai.