Arbëri

Hamza premton stadiumin kombëtar në Drenas

Kandidati për kryeministër nga radhët e Partisë Demokratike, Bedri Hamza, ka mbajtur tubim elektoral me qytetarë të Drenasit, të mërkurën. Në komunën që qeveriset nga PDK-ja, Hamza ka dhënë zotimin për investime të shumta dhe për përfundimin e disa projekteve kapitale

Në prag të përfundimit të fushatës për zgjedhjet e 9 shkurtit, Partia Demokratike e Kosovës është kthyer për tubim elektoral në Drenas, komunë kjo që qeveriset prej saj.

Teksa ka folur para qytetarëve të mërkurën, kryetari i kësaj komune, Ramiz Lladrovci, ia ka renditur një sërë kërkesash kandidatit të PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza.

“Në emër të qytetarëve kampionë, të komunës kampion pres t’i keni prioritet projektet në Drenas, rrugën me katër korsi Komoran-Gllobarë, stadiumin nacional, ujëmbledhësin e Verbocit, fabrikën e ujërave të zeza, pishinat gjysmë olimpike, qendrën e biznesi të Drenasit 2 dhe projektet kapitale”, ka thënë Lladrovci.

E në përgjigje për kërkesat, Hamza ka thënë se gjatë qeverisjes së tij, komunën e Drenasit do ta ketë prioritet.

“Drenasi do ta gëzojë vëmendjen që e meriton në qeverisjen e PDK-së dhe qeverisjen time. Do të përfundojmë rrugën me katër korsi deri në Komoran, do të finalizojmë projektin e ujëmbledhësit të Verbocit dhe do të bëjmë zgjidhje të përhershme për ujë të pijshëm. Do të keni investime dhe do ta kthej përkrahjen e qeverisë për komunën e Drenasit dhe një projekt të cilin ju e keni për zemër dhe ne jua garantojmë e ai është stadiumi kombëtar në Drenas”, ka thënë Hamza.

Para mbështetësve në Drenas, Hamza ka premtuar investime edhe në xeheroren e qytetit.

“Vëmendje do t’i kushtojmë edhe gjigantit, Feroniklit, që të gjendet një zgjidhje e qëndrueshme për këtë aset të rëndësishëm për krejt Kosovën. Do të kërkojmë zgjidhje të favorshme jo vetëm për kompaninë, por edhe për punëtorët që punojnë në këtë kompani dhe do të garantojmë siguri në punë, dinjitet për ata dhe për çdo punëtor”, ka thënë Hamza.

Hamza nga Drenasi është zotuar se me të kryeministër, Kosova do ta forcojë aleancën me Shtetet e Bashkuara dhe me Bashkimin Evropian.

Hamza ka përsëritur po ashtu premtimet për rritje të pagave për 50 për qind dhe të pensioneve bazike për 70 për qind. Është zotuar për ulje të tatimeve dhe se do të ofrojë grante deri në 30% të vlerës së investimit për bizneset.

Me qëllim të mbrojtjes së të drejtave të punëtorëve ka thënë se do të themelohet Gjykata e Punës. 
Ka thënë se do të formojë fondin e papunësisë përmes së cilit për gjashtë muaj do të paguhet 80 për qind e pagës së fundit, për ata që humbin vendet e punës.

Në fushën e arsimit ka premtuar mbështetje për studentët me 25 milionë euro bursa në vit. Për nënat dhe çiftet e reja që nuk kanë mundësi t’i regjistrojnë fëmijët në çerdhe publike, PDK-ja ka premtuar subvencionim për çdo muaj me nga 100 euro për t’i regjistruar ata në institucione private.

E në sektorin e shëndetësisë është zotuar se do të funksionalizojë sigurimet shëndetësore dhe se do të dyfishojë buxhetin për barnat esenciale.

Në tubim, i pranishëm ishte edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, që i thuri lavde Hamzës.

“Bedri Hamza nuk është politikan i fjalëve por njeri i veprave, njeri i rezultateve, njeri që e ka përkushtu jetën e tij në shërbim të Kosovës, njeriu që e stabilizoi ekonominë e Kosovës, njeriu që rriti pagat për mësuesit, mjekët, policët dhe ushtarët, për të gjithë. Njeri që në çdo pozitë e ka vënë Kosovën të parën. Si kryeministër ai do t’i kthejë përsëri shpresën dhe ditët e bardha Kosovës”, ka thënë Krasniqi.

Pos në Drenas, përfaqësues të PDK-së në mbrëmje kanë mbajtur tubim elektoral edhe në Fushë-Kosovë dhe kanë zhvilluar takim me qytetarë të lagjes Dardania, në Prishtinë.

Në Fushë-Kosovë kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, ka adresuar kritika ndaj partisë në pushtet. 

“Ne nuk shkojmë në qeveri të mësojmë, ne në qeveri shkojmë të punojmë dhe kryejmë punë. Katër vjetëve të fundit realisht jemi përballur me mungesë të rezultateve. Nuk ka asnjë projekt domethënës, kapital, që ka ndodhur brenda këtyre katër vjetëve. Janë rritur çmimet prej 40 deri në 100 për qind. Ju jeni dëshmitarë, edhe buka, vaji, mishi, energjia elektrike, të gjitha. Pagat, pensionet kanë mbetur në nivel të njëjtë. Standardi i jetesës është përkeqësuar, kjo gjendje duhet të ndryshohet”, ka thënë ai.