Arbëri

Hamza premton stadium për Gjilanin e autostradë deri te Dheu i Bardhë

Partia Demokratike e Kosovës të martën ka mbajtur tubim elektoral në Komunën e Gjilanit. Kandidati i saj për kryeministër, Bedri Hanza, qytetarëve të Anamoravës u ka premtuar se do të investojë me qëllim të përfundimit të një sërë projektesh kapitale. Ndër to, ka premtuar stadiumin e qytetit dhe autostradën

Kandidati për kryeministër nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, është zotuar për rikthim të investimeve në Gjilan, gjatë tubimit elektoral të mbajtur të martën në këtë komunë. 
Hamza u ka premtuar qytetarëve të Gjilanit se do t’i përfundojë një varg projektesh kapitale, mes tyre, edhe objektin e administratës komunale. 

Ai ka dhënë premtime edhe për sportistët, të cilëve u ka thënë se do ta ndërtojë stadiumin e qytetit që tash e shumë vjet zvarritet si projekt.

“I kam takuar tifozët e të dy klubeve, të dyja e kanë një problem. E problemi i njëjtë për të dy klubet është stadiumi. Kem me e krye stadiumin në Gjilan. Impiantin për trajtimin e ujërave të zeza qe sa vite e kam nënshkruar dhe ende nuk është përfunduar. Do të përfundohet. Do të përfundohet edhe ngrohja, objekti impianti për ngrohje qendrore, jo vetëm në Gjilan, por  në disa qendra rajonale të Kosovës”, ka thënë Hamza. 

Për projekte kapitale gjithandej Kosovës, Hamza ka thënë se brenda mandatit 4-vjeçar me një Qeveri me të në krye, do të ndajë buxhet prej 6 miliardë eurosh. 

Qytetarëve të Gjilanit u ka premtuar edhe përfundim të autostradës deri te Dheu i Bardhë.

“Kur jemi te Gjilani, po më vjen mirë që edhe të tjerët kanë nisë me e kopju këta të tonën e me thanë që jo autostradën deri në Gjilan po te Dheu i Bardhë. Autostrada te Dheu i Bardhë dhe ka me u ba realitet në vitin e parë. Ka me u lidh edhe Kamenica se nuk ka me mbet zorrë qorre me autostradën e Gjilanit dhe autostrada prej Dheut të Bardhë do të lidhet me autostradën Arbër Xhaferi dhe me autostradën e kombit, duke i lidh këto rrugë prej Banullës deri te Duhli dhe do të lidhet ky korridor gjithandej Kosovës”, ka thënë Hamza.

Hamza po ashtu ka ritheksuar premtimet e tij për rritje të pagave dhe pensioneve. 

“Kur jemi te përkrahja e familjeve, ju jeni dëshmitarë që viteve të fundit ne kemi pasur një rritje enorme të çmimeve. Kanë lëvizur çmimet prej 40 deri në 100 për qind, pagat, pensionet kanë ngelur të njëjta, standardi i jetesës është përkeqësuar dhe për këtë qëllim po kemi me i rrit pagat 50 për qind edhe atë në fillim të mandatit, në muajt e parë të mandatit, pensionet 70 për qind”, ka thënë Hamza.

Me qëllim të mbrojtjes së të drejtave të punëtorëve është zotuar se do ta themelojë Gjykatën e Punës. 

Për ata që humbin vendin e punës, ka thënë se do ta formojë fondin e papunësisë përmes së cilit për gjashtë muaj do të paguhet 80 për qind e pagës së fundit.

Hamza ka përsëritur se programi i tij politik ka në qendër zhvillimin ekonomik, kësisoj ka premtuar mbështetje për bizneset.

“Ne do t’i përkrahim bizneset sepse jemi të sigurt pa biznese, pa ndërmarrje të zhvilluara nuk ka shtet të zhvilluar. Prandaj ne do t’i përkrahim edhe me politika fiskale edhe me lehtësira tatimore, edhe me lehtësim të qasjes në financa dhe sigurisht se na flasim me respekt për të gjithë ndërmarrësit tanë sepse ata punojnë për vete, punojnë për familjet e veta, punësojnë njerëz, paguajnë paga, paguajnë tatime dhe janë kontribuues në zhvillimin ekonomik të Kosovës”, ka thënë Hamza.

Në fushën e arsimit, kandidati i PDK-së për kryeministër ka premtuar mbështetje për studentët me 25 milionë euro në vit për ndarje të bursave. 

Për nënat dhe çiftet e reja që nuk kanë mundësi t’i regjistrojnë fëmijët në çerdhe publike, PDK-ja ka premtuar subvencionim për çdo muaj me nga 100 euro për t’i regjistruar ata në institucione private.

E në sektorin e shëndetësisë Hamza është zotuar se do të funksionalizojë sigurimet shëndetësore dhe se do të dyfishojë buxhetin për barnat e Listës Esenciale. 

Programi zgjedhor i Partisë Demokratike të Kosovës përmban disa qëllime kyç: si zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, arsimin për të ardhmen, sistemin shëndetësor me pacientin në qendër e një Kosovë të sigurt dhe të integruar. 

Një nga synimet e PDK-së, sipas programit të prezantuar, është krijimi i vendeve të reja të punës dhe sigurimi i stabilitetit energjetik.