Arbëri

Hamza premton se do ta lidhë Rahovecin me autostradë

Në ditën e parafundit të fushatës zgjedhore, Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur tubim elektoral në Komunën e Rahovecit. Në këtë qytet, kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, ka premtuar rritje të subvencioneve për vreshtarët e edhe se do ta lidh qytetin me autostradë

Qasjen e Rahovecit në autostradë e ka premtuar të premten, kandidati për kryeministër i Partisë Demokratike, Bedri Hamza, gjatë tubimit elektoral të mbajtur në këtë komunë.

Në ditën e parafundit të fushatës elektorale, Hamza para mbështetësve në Rahovec e ka bërë zotimin edhe për mbështetjen e vreshtarëve.

“Sonte nuk është rastësi që jemi në natën e parafundit para zgjedhjeve në Rahovec, në mesin e njerëzve të mirë dhe punëtorë, për t’ju premtuar që po, Rahovecin do ta përkrahim, do të ketë qasje dhe do të lidhet me autostradën. Për këtë ju garantoj me komplet jetën dhe kontributin tim. Sistemet e ujitjes, përkrahja dhe rritja e subvencioneve për vreshtarët, agroturizmi dhe Rahoveci do t’i ketë dyert e hapura për investime nën qeverisjen e Partisë Demokratike të Kosovës”, ka thënë Hamza.

Hamza ka përsëritur premtimin për dyfishim të buxhetit për barna esenciale e edhe për funksionalizim të sigurimeve shëndetësore.

“Nën qeverisjen e Partisë Demokratike të Kosovës, buxheti për barna do të dyfishohet: 150 milionë euro çdo vit për barnat esenciale për të sëmurët me sëmundje kronike, sëmundje të kancerit dhe për të moshuarit”, ka thënë Hamza.

Hamza ka theksuar edhe premtimin e tij për rritje të pagave dhe pensioneve. Me qëllim të mbrojtjes së të drejtave të punëtorëve u zotua se do ta themelojë Gjykatën e Punës. Për ata që humbin vendin e punës, ka thënë se do ta formojë Fondin e papunësisë përmes së cilit për gjashtë muaj do të paguhet 80 për qind e pagës së fundit.

Në Rahovec, Hamza paradite ka vizituar edhe disa biznese, e të cilave po ashtu u ka premtuar përkrahje.

E më herët gjatë ditës, përfaqësues të Partisë Demokratike të Kosovës kanë shpërndarë video adresime të mbështetjes për subjektin, të bëra nga deputetë gjermanë dhe ata të Parlamentit Evropian.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka falënderuar deputetin gjerman, Thomas Hacker, për përkrahjen që ai ia ofroi subjektit të tij.

E në videoadresimin e tij, Hackeri u bën thirrje qytetarëve të Kosovës që ta përkrahin kandidatin e PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza.

“Ju do të vendosni nëse do të ndiqni rrugën evropiane apo do të mbeteni prapa. Si një liberal, mund të ju rekomandoj vetëm miqtë e mi të dashur, Bedriun, Memlin, Vlorën dhe Bernardin nga Partia Demokratike e Kosovës. Ata e dinë se çfarë duhet bërë për ta çuar Kosovën drejt Bashkimit Evropian hap pas hapi. Ata e dinë çfarë duhet bërë për zhvillimin ekonomik, për arsim më të mirë dhe për bashkëpunim me fqinjët tuaj”, ka thënë Hacker.

Mbështetje PDK-së i ka shprehur edhe eurodeputeti, Ilhan Kyuchyuk.

Me video adresim iu është drejtuar qytetarëve gjatë ditës edhe lideri i PDK-së, Memli Krasniqi. Ai u ka bërë ftesë qytetarëve për pjesëmarrje në tubimin përmbyllës të fushatës që do të mbahet të shtunën në Prishtinë.

“Të shtunën në sheshin Zahir Pajaziti në Prishtinë, bashkë do ta mbyllim këtë fushatë të jashtëzakonshme siç i ka hije PDK. Me krenari, me pasion dhe me një besim të palëkundur për në të ardhmen tonë. Ky nuk është thjeshtë një tubim, ky është betimi ynë për Kosovën, është një festë e fitores, një festë e shpresës, një festë për vendimin që tashmë ju keni marrë për Kosovën që mundet ma mirë”, ka thënë Krasniqi.

Partia Demokratike e Kosovës do ta përmbyll fushatën zgjedhore me tubim elektoral të shtunën në Prishtinë.

Programi zgjedhor i Partisë Demokratike të Kosovës përmban pesë qëllime kyçe: zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, arsim për të ardhmen, sistem shëndetësor me pacientin në qendër, një Kosovë të sigurt dhe të integruar. Një nga synimet e PDK-së është krijimi i vendeve të reja të punës dhe sigurimi i stabilitetit energjetik.

Për nënat dhe qiftet e reja që nuk kanë mundësi t’i regjistrojnë fëmijët në çerdhe publike, PDK ka premtuar subvencionim për çdo muaj me nga 100 euro për t’i regjistruar ata në institucione private. E për studentë është premtuar themelimi i Fondit shtetëror të bursave dhe ndarja e 25 milionë euro në vit për këtë qëllim. Pothuajse në çdo tubim elektoral, kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, ka përsëritur premtimin se në sektorin publik, me qeverinë e tij, pagat do të rriten për 50 për qind. E rrogat nën 400 euro ka premtuar se nuk do të tatohen.

Përveç pagave, rritje për 70 për qind është premtuar se do të kenë edhe pensionet. Hamza është zotuar se përfituesit e skemave pensionale nuk do të detyrohen më të zgjedhin mes ndonjërit prej pensioneve.