Takimin me qytetarët e Skenderajt kësaj radhe kandidati për kryeministër nga PDK-ja, Bedri Hamza, e pati më të veçantë.
Kjo meqë për tubim elektoral të martën ai u kthye në vendlindjen e tij, në fshatin Klinë e Epërme.
E veçantë ishte edhe pritja që i bënë qytetarët.
Bashkëvendësit e tij u detyruan të ngushtonin hapësirat mes karrigeve në mënyrë që t’i zërë të gjithë në sallë.
Para tyre Hamza theksoi se Drenica ka qenë dhe vazhdon të jetë bastion i PDK-së.
“Sa ka sot këtu në Klinë, partitë e tjera nuk munden me mbledhë nëpër qytete e qendra të tjera. Dhe ky është treguesi se më 9 shkurt na kena me vulos fitoren e PDK-së”, tha Hamza.
Për vendlindjen e tij, ai u zotua se si kryeministër do të ofrojë mbështetje e përkrahje të pakursyer.
“Drenica nuk ka me pasë vija të kuqe për mos me u investu. Nuk ka me i pasë dyert e mbyllura. Ka me pasë dyert e hapura, sepse Drenica ka dhanë shumë për këtë vend, e meriton përkrahjen, e meriton mbështetjen dhe z. Nura, z. Lushtaku ekipi i tyre ka me i pasë dyert e çela për çfarëdo investimesh që Drenica me vazhdu me u zhvillu dhe me u transformu”, tha Hamza.
Para bashkëvendësve Hamza përsëriti premtimin për investime në arsim e për përkrahje të studentëve me 25 milionë euro në vit për bursa. U zotua edhe për rritje të pagave e pensioneve në fillim të mandatit për 50 për qind.
“Kur i kemi premtu autostradat njerëzit kanë thanë janë vizatime të bukura në kompjuter, por sot ato janë vepra falë presidentit në atë kohë, ish-kryeministrit tonë Hashim Thaçi dhe PDK-së. Sot, po, na prapë premtojmë dhe janë premtime elektorale, por dallimi mes neve dhe tjerëve është se na premtojmë dhe e mbajmë fjalën”, tha ai.
E kryetari i Degës së PDK-së në Skenderaj, Sami Lushtaku, u shpreh i bindur në fitoren e Bedri Hamzës, nga i cili tha se para se të niste fjalimin e mori edhe një këshillë.
Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka mbajtur tubim edhe në Klinë.
Hamza ka premtuar në Klinë se do ta përfundojë autostradën për Pejë, që kalon kah Klina e premtoi po ashtu linjën hekurudhore Klinë – Prizren.
“Do të përfundohet përfundimisht rruga prej Prishtinës deri në Pejë, linjat hekurudhore Prizren – Klinë dhe Pejë – Klinë, që vazhdojnë në drejtim të Fushë- Kosovës, do të jenë të modernizuara dhe gjithandej Kosovës do të ketë projekte. Na nuk jemi ata që ndajnë, na jemi ata që bashkojmë”, tha Hamza.
PDK-ja gjatë ditës ka mbajtur tubim elektoral edhe në fshatin Keqekollë të Prishtinës.
Nga aty ai u zotua për rritje të subvencioneve e granteve në bujqësi.