Arbëri

Hamza premton përfundim të rrugës Dollc-Gjakovë e projekte transformuese për Kosovën

Partia Demokratike, të premten aktivitetin në kuadër të fushatës zgjedhore e ka zhvilluar në Gjakovë dhe në Malishevë. Në këto dy qytete, kandidati për kryeministër i PDK-së, Bedri Hamza, ka premtuar mbështetje për prodhues vendorë, e edhe investime në vlerë mbi 6 miliardë euro për infrastrukturën gjithandej Kosovës

Me premtimin për të investuar mbi 6 miliardë euro në projekte të infrastrukturës, kandidati për kryeministër nga Partia Demokratike, Bedri Hamza, të premten e ka kërkuar votën e qytetarëve të Malishevës.

Në tubimin elektoral të mbajtur në këtë qytet, Hamza është zotuar për zhvillim ekonomik të vendit.

“Mbi 6 miliardë janë të planifikuara për projekte të infrastrukturës, rrugë, modernizim të hekurudhave, furnizim me ujë, ujëmbledhës dhe do ta transformojmë Kosovën gjithandej. Fokus kryesor e kemi zhvillimin ekonomik, që të krijojmë vende të reja të punës, që të krijojmë perspektivë për të rejat dhe të rinjtë që ta bëjnë jetën në Kosovë, që të kenë paga të dinjitetshme dhe të mos e shikojnë emigracionin si mundësi të vetme edhe jetën jashtë Kosovës”, ka thënë Hamza.

Para qytetarëve të Malishevës, ai ka thënë se edhe sektorin e arsimit e ka prioritet të lartë. Ka përsëritur premtimin për ndarjen e 25 milionë eurove në vit për bursa. Edhe aty e ka përsëritur zotimin se do t’i rrisë pagat për 50 për qind, ndërsa pensionet për 70 për qind.

“Do t’i rrisim pensionet për kategoritë më meritore, kategoritë e dala nga lufta, familjet e dëshmorëve, invalidët e luftës, veteranët dhe për më tepër ne nuk do t’i kufizojmë dhe nuk do t’i detyrojmë familjet e dëshmorëve që të zgjedhin mes pensionit të moshës dhe dëshmorit por do t’i marrin të dyja. Veteranëve do t’u njihet e drejta e punës”, ka thënë Hamza.

Në shëndetësi, Hamza ka premtuar buxhet prej 150 milionë eurosh për medikamente që janë pjesë e listës së barnave esenciale e edhe se do ta funksionalizojë sigurimin shëndetësor.

Veç në Malishevë, PDK-ja ka mbajtur tubim elektoral edhe në Gjakovë. Mbështetësve në këtë qytet, Hamza u ka premtuar përfundim të punimeve në rrugën Dollc-Gjakovë.

“Në rrafshin e Dukagjinit, në Gjakovë do të ketë investime. Do të përfundohet shpejt kjo rruga që nuk po di fund, Dollc-Gjakovë. Do të ndërtohen rrugët. Do të lidhen qytetet me rrugë me katër korsi. Istog-Pejë-Gjakovë-Prizren dhe shumë projekte të tjera transformuese për Gjakovën dhe gjithë Kosovën”, ka thënë ai.

Nga Gjakova, Hamza ka premtuar mbështetje edhe për prodhuesit vendorë, nëpërmjet ndryshimit të politikave fiskale.

“Për kompanitë që investojnë mbi 500 mijë euro, punësojnë mbi 50 punëtorë ka me pasë pushime tatimore, kanë me u liru prej pagesës së tatimit në fitim të korporatave varësisht prej numrit të të punësuarve edhe prej nivelit të investimeve. Deri në 400 euro ju që merrni paga, tatimin keni me e pasë 0”, ka thënë kandidati i PDK-së për kryeministër.

E nëpërmjet një videoadresimi nga Rugova, ai ka shpalosur edhe programin për turizmin. E ka bërë zotimin për investim në qendra turistike, me qëllim të rritjes së numrit të turistëve vendorë dhe atyre ndërkombëtarë.

“Do të investojmë në ndërtimin e qendrave turistike moderne të qëndrueshme siç janë Brezovica dhe Borea. Po ashtu synojmë krijimin e qendrave të reja të skijimit në Sharr dhe Bjeshkët e Nemuna. Por do të rrisim edhe investimet për turizmin veror dhe sportiv. Kosova do të jetë nikoqire e Lojërave Mesdhetare në vitin 2030 dhe do të punojmë ditë e natë që vendi ynë të presë mijëra sportistë dhe mysafirë ndërkombëtarë, si dhe do ta krijojmë infrastrukturën sportive turistike për rritjen e turizmit”, ka thënë ai.

Hamza ka premtuar mbështetje edhe për investitorët.

“Do t’i hapim dyert e Kosovës për eksperienca unike në agroturizëm, në turizmin malor, turizmin sportiv dhe atë kulturor e historik....Me grante dhe subvencione do t’i mbështesim të gjithë ata që investojnë në sektorin turistik duke përfshirë investimet në hotele, resorte, qendra atraktive dhe banja termale”, është zotuar ai.

Programi zgjedhor i PDK-së përmban pesë qëllime kyçe: zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, arsim për të ardhmen, sistem shëndetësor me pacientin në qendër, një Kosovë të sigurt dhe të integruar. Një nga synimet e PDK-së është krijimi i vendeve të reja të punës dhe sigurimi i stabilitetit energjetik. Për nënat dhe çiftet e reja që nuk kanë mundësi t’i regjistrojnë fëmijët në çerdhe publike, PDK-ja ka premtuar subvencionim për çdo muaj me nga 100 euro për t’i regjistruar ata në institucione private.