Arbëri

Hamza premton mbështetje për studentë dhe gra

Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, të mërkurën ka shpalosur vizionin dhe programin politik për arsimin para studentëve në Prishtinë. Ai para tyre e bëri zotimin se me të kryeministër, arsimi do të jetë ndër prioritetet më të larta. Në këtë synim, Hamza ka premtuar harmonizimin e programeve studimore me tregun e punës si dhe digjitalizimin e sistemit të arsimit. E në një tjetër tubim, ai ka premtuar barazi gjinore dhe fuqizim ekonomik për gratë

Kandidati për kryeministër i Partisë Demokratike, Bedri Hamza, të mërkurën ka dalë para studentëve, por jo në cilësinë e profesorit. 

Në ditën e 18-të të fushatës zgjedhore, Hamza ka takuar të rinj në Pallatin e Rinisë në Prishtinë dhe para tyre ka shpalosur programin e PDK-së për arsimin. Ai është zotuar se nëse del fitues në zgjedhjet e 9 shkurtit, arsimin do ta ketë prioritet të lartë dhe do ta bëjë harmonizimin e programeve studimore me tregun e punës.

“Duhet të prodhojmë kuadro për nevojat e ekonomisë së tregut. Jo diku hiperproduksion i diplomave e diku komplet mungesë të kuadrove dhe profileve të caktuara. Arsim për të ardhmen. Një profesion që dikur ka qenë shumë i vlefshëm, i paguar, sot është shuar. Sot e dimë se çka është në trend, janë në trend drejtimet si inxhinier të IT-së, gjithmonë ka me pasë vende për juristë të mirë, ekonomistë të mirë, për mjekë të mirë. Një pikëpyetje e madhe është për me ia qëllua çka ka me qenë trend pas 10 vjetëve dhe duhet me e zgjedhë drejtimin që juve ju garanton me pas perspektivë”, ka thënë Hamza. 
Para studentëve ai e ka përsëritur premtimin për ndarjen e bursave në vlerë 25 milionë euro në vit teksa është zotuar edhe për digjitalizim të sistemit arsimor e për përmirësim të cilësisë.

“Ndihem me fat dhe jam shumë mirënjohës që kam krijuar edhe relacione miqësore dhe personale me themeluesin dhe udhëheqësin e PISA-s. E kam taku disa herë, ka qenë më ka vizituar këtu. Më ka dhënë rekomandime e ka një pasqyrë të zhvillimeve në gjithë botën dhe një krahasueshmëri. Ato rekomandime ne duhet t’i zbatojmë”, ka thënë Hamza. 

E për të rinjtë që kanë ide e projekte të mira, Hamza ka premtuar lehtësim të qasjes në financa. 
“Një e re, një i ri kur del prej fakultetit, sigurisht se mund të ketë ide të mira, se gjithçka fillon nga ideja, mund të ketë projekt të mirë, por nuk ka financim dhe shkon në bankë, banka e pyet, i thotë a ki historik? Por nuk kanë se veç sa e kanë kryer fakultetin. Ti nuk mund realizon nëse nuk ki qasje në financa dhe për këtë qëllim ne do t’i ndihmojmë startup-at përmes fondit për garantimin e kredisë të cilit do t’ia rrisim fushëveprimtarinë edhe kapitalin që ata me marrë riskun, fondi për garantimin e kredive, ndërsa kreditë me i realizu të rejat dhe të ritë që kanë vizion, që kanë program me fizibilitet, ne kemi me ua garantu qasjen në financa”, ka theksuar ai.

Krahas studentëve, Hamza të mërkurën ka mbajtur takim me gratë në Prishtinë e të cilave u ka premtuar se barazia gjinore do të jetë objektiv i qeverisë së tij. 

“Nëse gratë lihen anash, gjymtohet Kosova. Prandaj, me mua në qeverisje gratë do të marrin pozita drejtuese në institucione shtetërore dhe do të jenë pjesë e vendimmarrjes. Së bashku do t’i thyejmë stereotipat e prapambetura dhe do të ndërmarrim fushata vetëdijesuese bashkëkohore. Do t’i fuqizojmë gratë që të bëhen të pranishme në çdo sektor, madje edhe aty ku tradicionalisht janë konsideruar profesione të papërshtatshme për to, siç është ushtria, policia dhe institucionet e sigurisë”, ka thënë Hamza. 

Ai ka përmendur edhe premtimin për subvencionim me nga 100 euro për prindërit që nuk mund t’i regjistrojnë fëmijët e tyre në çerdhe publike. Hamza ka folur edhe për dhunën ndaj grave, të cilën është zotuar ta luftojë nëpërmjet mekanizmave shtetërorë.

“Do të luftojmë kundër dhunës ndaj grave. Çdo dhunë ndaj grave është një plagë në ndërgjegjen e shoqërisë sonë. Dhuna ndaj grave kurrë nuk do të tolerohet dhe do t’i fuqizojmë mekanizmat shtetërorë për të siguruar që çdo formë e abuzimit të ndëshkohet ashpër. Do të ndërtojmë një shoqëri ku gratë ndihen të sigurta”, ka thënë kandidati i PDK-së për kryeministër. 

Në tubimin me gratë, Hamza ka premtuar pushim prindëror edhe për baballarët.

Programi zgjedhor i PDK-së përmban pesë qëllime kyç: zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, arsim për të ardhmen, sistem shëndetësor me pacientin në qendër, një Kosovë të sigurt dhe të integruar. Një nga synimet e PDK-së është krijimi i vendeve të reja të punës dhe sigurimi i stabilitetit energjetik.