Arbëri

Hamza premton Gjykatë të Punës e Fond të Papunësisë

Mbështetje të punëtorëve të sektorit privat ka premtuar kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, gjatë tubimit në Lipjan. Ai ka thënë se punëtorëve do t’u dalë në krah duke krijuar Gjykatën e Punës dhe duke themeluar Fondin e Papunësisë

Mbështetje për bizneset, por edhe për punëtorët e sektorit privat, ka premtuar kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza.

Gjatë tubimit zgjedhor në Lipjan, të dielën, Hamza ka thënë se bizneseve do t’u dalin në mbështetje me politika të favorshme fiskale, me lehtësira tatimore dhe me lehtësira për qasje në financa. E, për punëtorët që u shkelen të drejtat, ka premtuar se qeverisja e PDK-së, do të themelojë Gjykatën e Punës. Është zotuar se do ta themelojë edhe Fondin e Papunësisë për t’i mbështetur punëtorët që mbesin pa punë.

“Nuk i kemi fokus vetëm pronarët, i kemi edhe të punësuarit në sektorin privat, sepse ata janë njerëz të ndershëm, punojnë për vete për familjet e veta dhe do t’i mbrojmë dhe garantojmë të drejtat e tyre përmes themelimit të gjykatës së punës dhe themelimit të fondit të papunësisë. Do të krijojmë fondin e papunësisë, në rast se dikush humb vendin e punës, 80 për qind e pagës së fundit shteti do t’ia garantojë për 6 muaj”, ka thënë Hamza.

Sipas programit të PDK-së, qëllimi i këtij fondi është mbështetja e fuqisë punëtore dhe përkrahja që të përballohen më lehtë nevojat e përditshme të jetesës në rast të humbjes së punës. Në program parashihet që gjatë kësaj periudhe punëtorët të mbështeten edhe me trajnime profesionale për zhvillim të aftësive, të cilat do t’i ndihmojnë ata të gjejnë punë të re dhe t’i përmbushin kërkesat e tregut të punës.

Pos kësaj, Hamza ka premtuar edhe sigurime dhe përkujdesje shëndetësore.

“Njerëzit tanë meritojnë shëndetësi më të mirë, meritojnë përkujdesje shëndetësore, ata nuk duhet të shqetësohen se ku do të shkojnë te mjeku, nuk do të shqetësohen a do të kenë barna esenciale, sepse ne do ta dyfishojmë buxhetin 150 milionë euro në vit për barna esenciale, për të sëmurët me sëmundje të kancerit dhe sëmundjet kronike. Funksionalizim i sigurimeve shëndetësore”, ka premtuar ai.

Nën qeverisjen e tij, Hamza ka thënë se mbështetje do të ketë edhe për çiftet e prindërit e rinj. Ka dhënë premtim se prindërit do të marrin 100 euro në muaj për secilin fëmijë që nuk arrijnë ta regjistrojnë në çerdhet publike, në mënyrë që ta dërgojnë pa problem në ato private. Për studentët ka premtuar bursa deri në 25 milionë euro brenda vitit.

“Ne do ta bëjmë arsimin për shekullin e 21-të. Do të krijojmë fondin për bursa. Asnjë vajzë, asnjë djalë i ri nuk do të mbetet pa i realizuar ëndrrat për përparim dhe arsimim. Si rezultat i mungesës së mjeteve financiare, do të ndajmë 25 milionë euro në vit për fondin shtetëror për bursa”, ka premtuar ai.

Pretendenti i PDK-së për ta udhëhequr Qeverinë, është zotuar për investime kapitale në vlerë të 6 miliardë eurove.

“Ne do të ndërtojmë rrugë, do të modernizojmë hekurudha, do të ndërtojmë shkolla, do të ndërtojmë ujëmbledhës dhe ne mbi 6 miliardë euro planifikojmë të investojmë në investime kapitale transformuese zhvillimore për Kosovën”, ka thënë Hamza.

Ai gjithashtu ka përsëritur zotimet e tij për rritje të pagave në sektorin publik për 50 për qind që në fillim të mandatit dhe rritje të pensioneve bazike për 70 për qind. 

“Kemi me i rritë pagesat për kategoritë më meritore, ata që dhanë më së shumti për lirinë dhe pavarësinë e vendit, familjet e dëshmorëve, invalidët e luftës, veteranët, 50 për qind rritje në fillim të mandatit. Për më tepër, familjet e dëshmorëve nuk do të detyrohen të zgjedhin mes pensionit të moshës dhe pensionit të dëshmorit, por do t’i marrin të dyja. Veteranëve do t’u njihet e drejta që ata të punojnë pa iu ndalur pensioni”.

Veç tubimit në Lipjan, në kuadër të fushatës, Hamza të dielën ka takuar edhe përfaqësuesit e shoqatave të personave me aftësi të kufizuara. Ka premtuar rritjen e mbështetjes për ta.

“Unë kam premtuar për të gjithë ata që janë përfitues të buxhetit të shtetit, edhe i rri prapa me gjithë garancë, nëse nuk i rri prapa, unë nuk kam nevojë me qenë kryeministër. Kam thënë që do të rriten 50% pagesat. Ne duhet të krijojmë kushte për shkollim. Duhet t’ju ndihmojmë të kualifikoheni, të shkolloheni, transportin publik dhe kushtet në transportin publik, t’ju krijojmë qasje në institucione. Ne duhet t’ju krijojmë kushte të punës”, ka thënë ai.

Hamza është shprehur i bindur se më 9 shkurt, Partia Demokratike do të dalë fituese në zgjedhje.