Tubimin elektoral të radhës, Partia Demokratike e Kosovës e mbajti në Skenderaj, komunën bastion të saj. Aty Bedri Hamza u zotua se do t’i rikthejë investimet për Drenicën dhe dha zotimin se në Kosovë, brenda mandatit, 6 miliardë euro do të jenë investime në projekte kapitale
Me marshin e UÇK-së e me brohoritje të emrit të ish-presidentit Hashim Thaçi, Partia Demokratike hapi tubimin elektoral në Skenderaj, komunën bastion të saj.
UÇK-ja u brohorit edhe në momentin kur mori fjalën kryetari i Degës së PDK-së në këtë komunë, Sami Lushtaku.
Lushtaku, si nikoqir i tubimit, dha kritika për qeverisjen qendrore e kërkoi votën e drenicasve për ta rikthyer PDK-në si parti të parë.
“Na duhet ndihma juaj, na duhet përkrahja juaj që ta rrëzojmë një Qeveri, e cila përveç mashtrimeve dhe rrenave, deri më tani nuk ka realizuar bash kurrgjë. Me një kryeministër i cili veç përralla kallëzon në fushata, ai deri më tani në vend që të mburret me punët që i ka bërë në qeverisjen e tij pesëvjeçare, ai nuk ka çka të thotë, nuk ka projekte. S’e ka bërë asnjë punë, përpos rrenave dhe mashtrimeve që qytetari jo veç i Drenicës, por edhe i Kosovës ka filluar t’i kuptojë”, ka thënë Lushtaku.
E meseleve, që tha se Kurti po i tregon në tubime, iu përgjigj me një të tillë.
“Pocërka për 3 javë ditë i ngjitet lisit në majë të malit e po i thotë pocërka: këqyre burrë, ti je qe 300 vjet këtu, kurse unë për 3 javë qe ku mbërrita. Po të nesërmen ra brymë dhe e pa pocërkën që kish rënë në fund të pusit”, tregoi meselenë Lushtaku, i cili u përcoll me të qeshura e fishkëllima.
Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, nuk tregoi ndonjë mesele. Ai dha një premtim për projektet kapitale.
“Në ndërtim të infrastrukturës, në ndërtim të sigurisë energjetike për Kosovë, do të investojmë mbi 6 miliardë euro në projektet kapitale dhe zhvillimore, në hekurudha, në infrastrukturën rrugore, energji dhe furnizim me ujë. Po ashtu përqendrohem në kthimin e Kosovës në rrugëtimin drejt anëtarësimit në NATO dhe BE”, ka thënë Hamza.
Teksa shpalosi programin politik, ai u zotua para qytetarëve se do t’i rikthejë investimet në Drenicë.
“Me mua kryeministër nuk do të përjetoni më kurrë bojkotin dhe bllokadën nga pushteti qendror, por do të kthehen investimet në Drenicë”, ka thënë Hamza.
E për veteranët e UÇK-së dhe familjet e dëshmorëve ai premtoi se, me të kryeministër, më nuk do të kushtëzohen për pensione.
“Ju prindër të dëshmorëve që sot jeni këtu, më nuk do të detyroheni të zgjidhni mes pensionit të moshës dhe pensionit të familjes së dëshmorit, sepse do t’i merrni të dyja pensionet. Ndërsa juve veteranëve, nëse dëshironi të punoni, do t’jua mundësojmë të jeni aktivë në tregun e punës pa iu ndalur përfitimet nga shteti si veteranë të UÇK-së”, ka thënë Hamza.
E, tek iu referua kandidimit të Hamzës për kryeministër, kryetari i degës së PDK-së, Sami Lushtaku, i dha një mesazh kryetarit të partisë, Memli Krasniqi.
“Ka treguar që është një kryetar që analizon dhe që merr vendime dhe unë mendoj që pak ka raste siç ka ndodhur me PDK-në dhe kryetarin e saj. Në vendin ku është dashur vetë kandidat për kryeministër, ky e ka parë të rrugës që ta nominojë Bedri Hamzën për kryeministër. Unë i uroj shëndet e sukses që herëve të tjera ta kemi kandidat për kryeministër”, ka thënë Lushtaku.
E, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se ndihet krenar për nominimin e Hamzës.
“Unë do t’ju bëj një premtim që punën që e ka nisur Hashim Thaçi si kryeministri më i suksesshëm i historisë së Kosovës, do ta vazhdojë me dinjitet Bedri Hazma duke ia dhënë një hov të ri zhvillimi të Kosovës, sepse unë e di dhe po e përsëris atë që e kam thënë nga dita e parë: Bedri Hamza është kryeministri më i mirë që mund ta ketë Kosova sot dhe jemi të nderuar që do të na drejtojë në katër vitet e ardhshme. Sikur secili prej jush, unë po se po, por çdo qytetar i Kosovës duhet të jetë krenar për këtë nominim”, ka thënë Krasniqi.
Kryetari i PDK-së tha në Skenderaj se me mobilizimin e drenicakëve, partia të cilën e drejton do të rikthehet si forca kryesore politike në nivel të Kosovës.
Në tubimin elektoral të PDK-së në Skenderaj, u prezantuan edhe 14 kandidatët e kësaj partie për deputetë nga kjo komunë: Ganimete Musliu, Blerta Deliu-Kodra, Mergim Lushtaku, Abelard Tahiri, Ariana Musliu-Shoshi, Bekim Haxhiu, Sala Jashari, Jakup Nura, Xhevahir Peci, Bashkim Mustaf, Përparim Gruda, Fatbardh Rexha, Isak Neziri e Shahin Dervishi.