Arbëri

Hamza premton 50% rritje të pagave për profesionistët shëndetësorë

50 për qind rritje të pagave për profesionistët shëndetësorë qysh në muajt e parë të mandatit ka premtuar kandidati për kryeministër nga PDK-ja, Bedri Hamza. Ai gjatë një takimi që pati me mjekë e infermierë u zotua se do t’i japë zgjidhje një problemi të kamotshëm, atë të funksionalizimit të sigurimeve shëndetësore. Ndërsa në një tubim me gra të Mitrovicës ka thënë se barazia gjinore nuk është vetëm drejtësi, por është domosdoshmëri.

Pasditen e së dielës kandidati për kryeministër nga PDK-ja, Bedri Hamza, ua ka kushtuar profesionistëve shëndetësorë.

Në takimin që mbajti për rreth gjysmë ore me ta, ai tha se sektori i shëndetësisë është një ndër prioritetet kryesore.

Për mjekët dhe infermierët u zotua se do t’i rrisë pagat për 50 për qind.

 “Unë ju siguroj dhe garantoj qe 50 për qind ka me ua rrit pagat në muajt e parë të mandatit tim. As që e kam dilemën a e meritoni, as a bahet kjo, as që nuk është se nuk e di që nuk është e lehtë. E di koston e saj, e di vështirësitë për me u ba, por e di gatishmërinë, vendosmërinë edhe nevojën për me u ba edhe ka me u ba në muajt e parë të mandatit 50 për qind e rritjes së pagave”, ka deklaruar Hamza.

Veç rritjes se pagave, Hamza ka premtuar investime në infrastrukturë, për të përmirësuar kushtet e punës edhe dyfishim të buxhetit për barnat e listës esenciale.

Ai u zotua se do t’i japë zgjidhje një problemi të kamotshëm, atë të funksionalizimit të sigurimeve shëndetësore.

“Ne duhet me e ba këta. Edhe se ju në gjuhen profesionale e thoni SISh, e kam ndëgju shpjegimin prej ekspertëve, edhe caktimin e kostos te trajtimeve shëndetësore, listën që nuk është gati po është punë që bahet se njerëzit dijne me ba, ju dini me e ba. Dhe unë ju siguroj dhe garantoj se ka me ndodh funksionalizimi i sigurimeve shëndetësore, jo ligji po funksionalizimi i sigurimeve shëndetësore”, u shpreh ai.

Para profesionistëve shëndetësorë foli edhe ish-ministri i Shëndetësisë, e nënkryetari i PDK-së, Uran Ismaili. Ai lavdëroi Hamzën duke thënë se me të kryeministër, pacienti është në qendër.

“Ne kohen time si ministër i shëndetësisë, Bedriu ka qenë një nga personat më të interesuar të n dëgjoj për hallet e sektorit të shëndetësisë. Bedriu ka qenë një nga arsyet kryesore pse ka filluar rritja e buxhetit të shëndetësisë dhe mbështetësi kryesor i idejës së rritjes së pagave”, ka shtuar Ismaili.

Gjatë ditës, kandidati për kryeministër nga PDK-ja, Bedri Hamza ka mbajtur tubim me gra të Mitrovicës dhe komunave përreth.

Ai u ka premtuar barazi gjinore e mbështetje në çdo sferë.

“Unë sot qëndroj këtu për të siguruar që asnjë vajzë, asnjë grua, nuk duhet të pengohet më. Gratë do të kenë vendin që meritojnë në politikë, në biznes dhe në çdo segment të jetës publike. Gratë do të mbështeten për të marrë poste drejtuese dhe për t’u bërë pjesë e vendimmarrjes. Kemi program të mirë, i cili do të jetë mbështetës për gratë”, ka shtuar ai.

Veç në Mitrovicë, Hamza gjatë së dielës ka mbajtur tubim elektoral edhe me qytetarët e Kaçanikut.