Arbëri

Hamza në Shtime premton përmirësim të kushteve për punëtorë të sektorit privat

Partia Demokratike e Kosovës tubimin qendror elektoral të enjten e zhvilloi në Shtime. Aty, kandidati për kryeministër i PDK-së, Bedri Hamza, e pati mysafir të veçantë ish-shefin e misionit vëzhgues të OSBE-së në Kosovë, William Walker. Me këtë rast, Hamza u zotua se si kryeministër do të punojë për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe për përmirësim të standardit të jetesës

Në komunën që katër vjet më parë qe bastioni i saj, Partia Demokratike u kthye të enjten me një mysafir të veçantë.

Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, u shoqërua në tubimin elektoral në komunën e Shtimes nga ish-shefi i misionit vëzhgues të OSBE-së gjatë luftës në Kosovë, William Walker.

Teksa Walkerit i shprehu falënderim për rolin e madh e pati për lirinë e Kosovës, qytetarëve të Shtimes, të mbledhur në sallën e sporteve, u bëri premtim se si kryeministër do të punojë për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe për përmirësim të standardit të jetesës.

“Prioritet i yni është zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik, përmirësimi i standardit jetesës për të gjithë qytetarët e Kosovës. Prandaj, ne do ta përkrahim sektorin privat përmes reformave fiskale dhe lehtësimit në qasje në financa”, ka thënë Hamza.

Krahas përkrahjes për bizneset, Hamza premtoi edhe mbështetje për punëtorët.

“Fokusi ynë është që ta përmirësojmë jetën e qindra-mijëra të punësuarve të sektorit privat që ata të kenë paga më të larta, të cilëve u mundësojnë jetë më të dinjitetshme dhe do ta themelojmë Gjykatën e Punës, dhe do ta themelojmë fondin prej papunësisë, i cili do t’u garantojë që në rast të humbjes së vendit të punës, ata 80 për qind të pagës do ta marrin për gjashtë muaj”, ka theksuar Hamza.

Kandidati i PDK-së për kryeministër është zotuar se gjatë qeverisjes së tij, pacientët më nuk do të përballen me mungesë të barnave.

“Ne do ta përmirësojmë shëndetësinë, do t’i funksionalizojmë sigurimet shëndetësore, do ta rrisim, do ta dyfishojmë buxhetin për barnat esenciale dhe sigurisht se personat, njerëzit me sëmundje të kancerit, sëmundje kronike, në qeverisjen tonë asnjëherë nuk do të përballen me mungesa të barnave”, ka thënë ai.

E të enjten, Hamza iu drejtua qytetarëve edhe me një video-adresim, në të cilin ka ndarë momente nga tubimet me qytetarë. Video-adresim pati edhe udhëheqësi i PDK-së, Memli Krasniqi, nëpërmjet të cilit e shprehu nevojën për një “Ditë të Unitetit dhe Solidaritetit”. Për këtë ditë, që e quajti festë, ai ka propozuar 1 majin, duke iu referuar ditës kur në Verrat e Llukës në Deçan më 1990 u mblodhën qindra-mijëra shqiptarë për pajtim të gjaqeve.

“Festën që e kisha shtuar do të ishte një festë që ndoshta do ta quaja Dita e Unitetit dhe Solidaritetit kombëtar dhe do të rastiste më datën 1 maj, jo për shkak të ditës së punëtorëve po për shkak tubimit ndoshta më madhështor në historinë tonë, tubimit në Verrat e Llukës ku ka ndodhur pajtimi i gjaqeve, nën lidershipin e Anton Çettës së madh por edhe një plejade të madhe të patriotëve të kohës, e që ka qenë jashtëzakonisht e rëndësishme për ta solidarizuar, për ta konsoliduar popullin tonë gjatë kohës së okupimit gjë që u ka paraprirë edhe krejt angazhimeve edhe luftës çlirimtare për liri”, ka thënë Krasniqi.

Në Facebook, Krasniqi shkroi se qytetarë të çdo fshati e qyteti janë bashkuar për t’ia dhënë mbështetjen e nevojshme Hamzës. E me fjalët “mbështetje, mobilizim e optimizëm” ai e ka përshkruar takimin që e pati të enjten me banorë të Malësisë së Verrinit, në Prizren.

Programi zgjedhor i PDK-së përmban pesë qëllime kyçe: zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, arsim për të ardhmen, sistem shëndetësor me pacientin në qendër, një Kosovë të sigurt dhe të integruar. Një nga synimet e PDK-së është krijimi i vendeve të reja të punës dhe sigurimi i stabilitetit energjetik.

Për nënat dhe çiftet e reja që nuk kanë mundësi t’i regjistrojnë fëmijët në çerdhe publike, PDK-ja ka premtuar subvencionim për çdo muaj me nga 100 euro. E për studentë ka premtuar fond shtetëror të bursave dhe ndarjen e 25 milionë eurove në vit për këtë qëllim. Në pothuajse çdo tubim elektoral, kandidati për kryeministër Hamza ka përsëritur premtimin për rritje prej 50 për qind të pagave në sektorin publik, teksa është zotuar se pagat nën 400 euro nuk do të tatohen.

Krahas pagave, PDK-ja ka premtuar edhe rritje të pensioneve. Hamza është zotuar se përfituesit e skemave pensionale nuk do të detyrohen më që të zgjedhin mes ndonjërit prej pensioneve.