Partia Demokratike e Kosovës të enjten ka mbajtur tubim elektoral në qytetin e Prizrenit. Aty kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, u zotua se do të përfundojë disa projekte kapitale për qytetin. Premtoi se si kryeministër do të ofrojë mbështetje edhe për sportin e kulturën
Investime me qëllim për të përmirësuar infrastrukturën dhe shërbimet publike në Prizren, ka premtuar kandidati për kryeministër nga PDK-ja, Bedri Hamza, në tubimin elektoral të mbajtur të enjten në këtë qytet.
Për komunën që udhëhiqet nga Partia Demokratike, Hamza u zotua se si kryeministër do të ofrojë mbështetje.
“Si qeveri do të bashkëpunojmë me komunën që të sigurojmë fonde, ekspertizë dhe politika të duhur për të përmirësuar shërbimet publike dhe infrastrukturën duke përmirësuar jetën e të gjithë qytetarëve të Prizrenit”, ka thënë Hamza.
Para qytetarëve të Prizrenit, Hamza premtoi disa projekte kapitale. Premtoi se si kryeministër do të ofrojë mbështetje edhe për sportin e kulturën.
“Do të angazhohemi për rimëkëmbjen e sheshit të Shatërvanit. Për rregullimin e Unazës së Qytetit, për lidhjen e autostradës dhe hapjen e rrugës së re transitore. Premtimet tonë për mbështetje për bujqit, për sportistët, për kulturën do të prekin çdo anë të Prizrenit që është ndër protagonistët kryesorë në vendin tonë në të gjitha këto fusha. Do të punojmë të sigurojmë rezerva të mjaftueshme të ujit që qyteti të mos ketë kurrë më shqetësime në dekadat e ardhshme për furnizim me ujë”, ka thënë Hamza.
Ai tha se pas 9 shkurtit, qeveria e tij do të ndërtojë një standard të ri në politikë. Premtoi mbështetje për kategoritë e dala nga lufta.
“Një qeveri të re që punon dhe që e mban fjalën. Qysh në muajt e parë të qeverisjes do t’i rrisim pagat në sektorin publik 50 për qind, pensionet bazike 70 për qind. Kategoritë e dala nga lufta jo vetëm që do të marrin pensione në të larta por do të kenë të drejtën edhe të punojnë në sektorin privat pa u penguar. Këto rritje do ta forcojnë fuqinë blerëse dhe do ta qojnë përpara ekonominë tonë. Ne do ta reformojmë sistemin e tatimeve, do ta lehtësojmë barrën e bizneseve dhe do të japim më shumë grante dhe subvencione”, është zotuar Hamza.
Hamza në Prizren foli edhe për kundërkandidatët e tij, ndonëse nuk i përmendi me emër.
“Qytetarë të dashur të Prizrenit, në këto zgjedhje, zgjidhja është e qartë. Program realist apo program fare. Punë me ekip apo spektakël i një personi. Ai që dëgjon apo ai që bërtet. Unitet apo përçarje”, ka thënë ai.
E kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi tha se tubimin në Prizren e lanë për fund me një qëllim - për të kërkuar besën e qytetarëve.
“Jemi këtu për të ua kërkuar edhe njëherë besën. Besën për Kosovën. Besën për një të ardhme më të mirë e këto dyja nuk bëhen pa na e dhanë besën për Bedri Hamzën kryeministër. Prandaj Prizren çka po thoni, a e bajmë Bedri Hamzën kryeministër? A e bajmë Kosovën më të mirë? Faleminderit!”, ka thënë Krasniqi.
Edhe në Prizren, përfaqësues të PDK-së theksuan premtimin për rritje të pagave dhe pensioneve, për reforma në arsim e për funksionalizim të sigurimeve shëndetësore.
Programi zgjedhor i Partisë Demokratike të Kosovës përmban disa qëllime kyç: si zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, arsimin për të ardhmen, sistemin shëndetësor me pacientin në qendër e një Kosovë të sigurt dhe të integruar. Një nga synimet e PDK-së është krijimi i vendeve të reja të punës dhe sigurimi i stabilitetit energjetik.
Për nënat dhe çiftet e reja që nuk kanë mundësi t’i regjistrojnë fëmijët në çerdhe publike, PDK-ja ka premtuar subvencionim për çdo muaj me nga 100 euro për t’i regjistruar ata në institucione private. E për studentë është premtuar themelimi i Fondit shtetëror të bursave dhe ndarja e 25 milionë euro në vit për këtë qëllim. Pothuajse në çdo tubim elektoral, kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, ka përsëritur premtimin se në sektorin publik, me qeverinë e tij, pagat do të rriten për 50 për qind. E rrogat nën 400 euro ka premtuar se nuk do të tatohen.
Veç pagave, rritje për 70 për qind është premtuar se do të kenë edhe për pensionet. Hamza është zotuar se përfituesit e skemave pensionale nuk do të detyrohen më të zgjedhin mes ndonjërit prej pensioneve.
Hamza ka premtuar edhe Gjykatën e Punës me qëllim për t’i mbrojtur të drejtat e punëtorëve.