Fushatën zgjedhore Partia Demokratike e ka nisur me tubimin që e ka realizuar në sallën “1 Tetori” në Prishtinë. Kandidati i kësaj partie për kryeministër, Bedri Hamza, premtoi rritje pagash e pensionesh
Partia Demokratike ka hapur fushatën për zgjedhjet e 9 shkurtit, me premtimin e përfaqësuesve të saj se do ta bëjnë Kosovën më të mirë.
Në tubimin e mbajtur në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, përkrahësit e kësaj partie brohoritën emrin e kryetarit Memli Krasniqi dhe të kandidatit për kryeministër Bedri Hamza.
E, Krasniqi gjatë fjalimit përshëndeti dy pararendësit e tij që e drejtuan PDK-në, Hashim Thaçi e Kadri Veseli, të cilët janë duke u gjykuar në Hagë.
“E di që sikur mua, po ju mungojnë shumë secilit prej jush, e mezi po e presim rikthimin e tyre në Kosovë, pranë familjeve e miqve, por, deri atëherë, le t’ua bëjmë një premtim. Kosovën do ta bëjmë ma të mirë, sepse kjo është ajo që ne bëjmë dhe kemi bërë gjithmonë”, ka thënë Krasniqi.
Ai lavdëroi edhe aftësitë dhe personalitetin e Hamzës për ta drejtuar Qeverinë në mandatin e ardhshëm, e të cilit ia listoi një detyrë.
“Ju kërkoj ndjesë atyre që nuk i ka zënë në sallë. Por sonte ua kërkojmë një obligim të ri kryeministrit të ardhshëm Bedri Hamzes që në Prishtinë të ndërtojë një sallë trefish më të madhe se ndryshe PDK nuk mund të mbajë tubime”, ka thënë kryetari i PDK-së. “Sot qëndroj para jush për t’ju siguruar se ne ofrojmë një plan konkret, një program të detajuar dhe gjithëpërfshirës, realist dhe të realizueshëm”.
Krasniqi ka akuzuar qeverisjen aktuale për dështim në udhëheqjen e vendit, që sipas tij ka sjellë zhgënjim te qytetarët.
“Është koha që qytetarët të mos e humbin shpresën, por të kthejnë besimin në Kosovën që e dëshirojnë. Besoni në të gjitha premtimet tona, se ne do t’i rritim pagat dhe pensionet... Asnjë familje nuk duhet të luftojë e vetme për të mbijetuar. Do ta përmirësojmë sistemin shëndetësor, asnjë qytetar nuk duhet të zgjedhë mes ilaçeve dhe ushqimit. Do të ulim çmimin e energjisë elektrike, do të krijojmë fondin e papunësisë për ata që humbin vendin e punës, do ta ulim tatimin në pronë dhe do të subvencionojmë të gjitha familjet që dërgojnë fëmijët në çerdhet private”, është zotuar Krasniqi.
Pas prezantimit të 110 kandidatëve për deputetë, masës iu drejtua kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, i cili gjatë prezantimit të programit politik, përmendi zhvillimin ekonomik si një nga prioritetet.
“Vizioni im për një Kosovë të fuqishme ka në themel hapjen e vendeve të reja të punës. Ka edhe rritjen e pagave në sektorin privat përmes rritjes së mbështetjes për bizneset me grante, investime dhe subvencione, me lehtësira fiskale dhe me qasje me të lehtë në financa. Ne do t’i mbështesim bizneset që të zhvillohen, por zhvillimi i bizneseve nuk është vetëm për zgjerimin e tregjeve. Është edhe për fuqizimin e punëtorëve. Fuqia punëtore është zemra e çdo biznesi në sektorin privat”, ka thënë Hamza.
Pretendenti i PDK-së për kryeministër premtoi rritje pagash e pensionesh për të lehtësuar dhe përmirësuar cilësinë e jetesës në Kosovë.
“Edhe për të punësuarit në sektorin publik do të ketë paga të dinjitetshme. Në muajt e parë të qeverisjes sime pagat do t’i rris për 50 për qind. Përveç pagave, për 70 për qind do t’i rris pensionet bazike, do të rris edhe pensionet kontributdhënëse të cilat do të përshkallëzohen sipas viteve të punës”, ka thënë Hamza. “Familja është shtylla e shoqërisë. Kur flasim për mbështetjen e familjes, ato që sakrifikuan më së shumti natyrisht se do të jenë prioritet – do t’i rrisim për 50 për qind përfitimet për familjet e dëshmorëve, për invalidët e luftës dhe veteranët e UÇK-së”.
Pas kryeqytetit, PDK-ja ka planifikuar që takimin e radhës me qytetarë ta mbajë të dielën në Ferizaj.