Arbëri

Hamza në Krushë premton më shumë subvencione e grante

Bedri Hamza vizite ne Krushe

Në Krushë, kandidati për kryeministër nga PDK-ja, Bedri Hamza ka lavdëruar punën e kooperativës bujqësore “Krusha” dhe ka thënë se ky biznes i themeluar e i udhëhequr nga gratë është shembull inspirues. Ai ka premtuar shtim të subvencioneve dhe granteve për prodhimtarinë bujqësore

Në ambientet e kooperativës bujqësore “Krusha”, kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka premtuar shtim të subvencioneve dhe granteve për prodhimtarinë bujqësore.

Gjatë vizitës që i bëri të hënën Fahrije Hotit e grave të tjera të Krushës, ai lavdëroi punën dhe angazhimin e tyre që nisi për mbijetesë e përfundoi në një biznes të suksesshëm.

“Është inkurajues fakti se ju jeni biznes i themeluar edhe i udhëhequr nga gratë. Ju këtu punësoni gra, vajza dhe është krenari me ju pa. Na kemi parapa që të ketë lehtësira për biznese, sidomos ndërmarrjeve që merren me përpunimin e produkteve bujqësore. Sigurisht që duhet të ketë grante, duhet të ketë zgjerim të subvencioneve. Jemi t’u punu shumë dhe do ta bëjmë sigurimin e kulturave bujqësore. Përtej kësaj, sidomos me grante, do të ndihmojmë në zgjerimin e kapaciteteve përpunuese”, tha Hamza. 

Përveç prodhimit, Hamza tha se është i rëndësishëm edhe plotësimi i standardeve për eksport. 

Në ditën e tretë të fushatës, Partia Demokratike Kosovës nuk organizoi tubim me përkrahësit, por përmes një konference për media, falënderoi qytetarët për siç u tha, përkrahjen masive deri më tash.

Zëdhënësi i fushatës së PDK-së, Blerand Stavileci, u është kundërpërgjigjur akuzave të kryeministrit Albin Kurti, i cili në tubimin në Mitrovicë, opozitarët i quajti zuzarë.

Stavileci tha se gjuha e ashpër e Kurtit është rezultat i dështimeve të shumta të tij.

“Në mungesë të platformave konkrete për qytetarët, pastaj me dështimet e shumta që kanë ndodhur gjatë kësaj kohe. Në një kohë kur qytetarët vuajnë nga mungesa e energjisë nga një arsimim i dobët dhe shumë sfera të tjera që kemi ngecur, kryeministri merret me të kaluarën. Mirëpo kjo nuk është për t’u çuditur sepse ju po e shihni se të njëjtën gjë po e bënë me mediat dhe debatet”, tha Stavileci. 

Po ashtu, gjatë së hënës, kandidati për kryeministër nga PDK-ja, Hamza, përmes një video-adresimi ka përmbledhur zotimet e tij kryesore për një Kosovë më të mirë.