Deputeti i Vetëvendosjes, Enver Haliti, ka thënë se ndërkombëtarët po i përdorin masat kundër Kosovës si “levë” për kushtëzim.
Ai është shprehur se është e palogjikshme që masat e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës janë ende në fuqi kur është rekomanduar heqja e tyre.
“Sanksionet kanë qenë të padrejta. Kanë qenë të pavend dhe të palogjikshme. Derisa përfaqësuesi special për politikë dhe siguri ka nxjerrë rekomandim për heqjen e masave, ende nuk kemi vendim. Partnerët ndërkombëtarë, vendet e BE-së, po përdorin këto leva për t’i detyruar shtetet si Kosova për të pranuar diçka duke mbajtur masat që nuk ka logjikë pse janë në fuqi sot ato masa”.
Bajra: Mungon komunikimi, askush s'e di pse i kemi ende sanksionet e BE-së, kemi humbje të mëdha

Profesori Ujkan Bajra ka thënë se askush nuk e di pse Kosova ende vazhdon të jetë e sanksionuar nga Bashkimi Evropian.
Të mërkurën në “Konfront” të KTV-së, Bajra ka thënë se publiku nuk e di për shkak se mungon komunikimi nga ana e Qeverisë.
Megjithatë sipas tij, për shkak të këtyre sanksioneve vendi ka humbje të mëdha në fushën e ekonomisë.
“Pse jemi akoma nën sanksionet e Bashkimit Evropian? Komunikimi dhe plasimi i informatës, komunikimi me publikun është problemi. Duhet ditur pse i kemi ende këto sanksione, pse vazhdojnë, a vetëm ne jemi ata që i plotësojmë të gjitha kërkesat e kriteret? Sot në Qeveri u aprovua një program që duket të jetë i 2020-s, që parashihet që Kosova të përfitojë 900 milionë euro. Ne kemi projekte kapitale që kanë ngecur, kanë mbetur pa u realizuar për shkak të këtyre sanksioneve. Cilat janë ato veprime që po i merr Kosova për t’i hequr këto masa ne nuk e dimë. Por, ekonomia është në humbje me këtë rast”, ka thënë ai.
Demaku thotë se presoni ka mundur të shmanget: Pse u desh të pritet për ofertën e njëjtë në CEFTA
Panelistja në emisionin “Konfront” në KTV, Dafina Demaku, ka thënë se Qeveria nuk është dashur që të lejojë që presioni i Gjermanisë të rritet aq shumë, nëse e ka ditur që do ta pranonte që të ndryshonte masën e sigurisë për mallrat serbe, në mënyrë që ato të lejoheshin të hynin në Kosovë.
“Pyetja është nëse e di që do të lëshosh pe në fund përballë një kërkesë të cilën pak a shumë nuk ke dhënë shenja se do të lëshosh pe, pse po pret kaq gjatë ... “Paralel me kërcënimin e Gjermanisë për përjashtim nga Procesi i Berlinit ka qenë edhe oferta se si ne nuk do të përjashtoheshim nga Procesi i Berlinit, ofertë që ne e kemi pranuar tash, pra ne e kemi para presionin që ka qenë goxha i gjatë, sidomos muajin e fundit, që ka ardhur drejtpërdrejtë prej Gjermanisë, edhe kjo ofertë që e kemi pranuar ka qenë e njëjta, pra ka qenë për t’i lejuar të hyjnë mallrat serbe në Kosovë”, është shprehur Demaku.
Ajo ka thënë se ka pasur një koordinim të veprimeve nga ana e Qeverisë, kur të njëjtën ditë që është marrë vendimi për lejim të mallrave serbe, është marrë edhe vendimi për rritje të pensioneve për 20 për qind.
“Zakonisht kur janë bërë kësi lloje lëshimesh, gjithmonë ka ndodhë që kanë dalë edhe janë shpërndarë do kësi para, edhe në të kaluarën, për ta shmangur fokusin nga një çështje që ka qenë shumë e diskutueshme”, ka deklaruar Demaku.
Sopi: CEFTA është krijuar pas rënies së Jugosllavisë për t'ia kthyer tregun Serbisë
Opinionisti në “Konfront” të KTV-së, Agim Sopi, ka deklaruar se CEFTA është krijuar pas rënies së Jugosllavisë me qëllimin që t’ia kthejë tregun Serbisë.
Sopi ka thënë se nuk ka asnjë dyshim që CEFTA është instrument politik.
“Se CEFTA është një instrument politik nuk ka asnjë lloj dyshimi, ajo është krijuar pas luftërave në ish-Jugosllavi si favor, si përkëdhelje ndaj Serbisë për t’ia siguruar tregun e humbur të republikave të ndara të këtyre jugore”, është shprehur ai.
Sopi ka shtuar se “politika sovraniste e kryeministrit Albin Kurti shtyllë kryesor e ka pasur këtë instrument.
“Politika sovraniste e z.Kurti për logjikën time ndoshta shtyllë përpos kontrollit policor në veri, e ka pasur këtë instrument, CEFTAN. Të gjitha ato tjerat për mua janë të parëndësishme, nëse do të futen 4 kryetarët e komunave me nga 80 vota në ndërtesat e komunave, a do të shtyhen për 6 muaj targat e Serbisë në Kosovë, a do të hapet ura për të dalë për kafe, është shumë e rëndësishme që Kosovës t’iu krijohet shteti me tabelën Republika e Kosovës dhe asnjë mall, e asnjë njeri prej asnjë shteti që nuk e njeh Republikën e Kosovës, të mos mundet të futet këndej”, ka thënë ai.
Haliti: Edhe pas pranimit në CEFTA me emrin Kosovë, Serbia sërish do të jetë destruktive
Kosova do të përfaqësohet si shtet e jo më nga UNMIK-u në Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA), nga 9 tetori.
Deputeti i Vetëvendosjes, Enver Haliti, ka thënë se pavarësisht se Kosova do të përfaqësohet nga zyrtarë të saj në CEFTA dhe jo më nga UNMIK-u, Serbia do të vazhdojë të jetë destruktive.
“Edhe sot pas këtij pranimi të Kosovës si palë në CEFTA, Serbia prapë do të jetë destruktive, prapë prodhuesit e Kosovës do të përballen me barriera jotarifore”, ka thënë ai në “Konfront”.
Haliti ka shtuar se Kosova edhe përmes UNMIK-ut ka kërkuar që barrierat jotarifore të mos ekzistojnë, por se kjo nuk është respektuar asnjëherë nga Serbia. E, sipas tij, ndërkombëtarët as nuk i kanë bërë presion Serbisë.
“Kosova edhe përmes UNMIK-ut ka kërkuar që këto barriera të mos ekzistojnë derisa kemi edhe marrëveshje që janë arritur në Bruksel për lehtësimin e tregtimit, lëvizjes së njerëzve, etj. Por, Serbia sërish nuk i ka respektuar këto dhe ka vendosur barriera të pakalueshme për prodhuesit e Kosovës. Shpesh e kemi parë që mallrat e Kosovës kanë qëndruar me ditë nëpër terminale në hyrje të territorit të Serbisë dhe pas një kohë janë detyruar të kthehen. Është për habi insistimi kaq i madh i ndërkombëtarëve në drejtim të Kosovës që të hiqet një masë e tillë se po e pengon lëvizjen e lirë të mallrave, kur është parimi bazë i Procesit të Berlinit që mëton të jetë treg i përbashkët i gjashtë vendeve të Ballkanit. Nuk kemi parë presion ndaj Serbisë për këto barriera jotarifore që i vendos ndaj mallrave të Kosovës”.