Arbëri

Halili e Haxha fitues të çmimit “Rexhai Surroi” për gazetari, Avdiaj për letërsi

Dafina Halili - Uran Haxha - Jetlira Aviaj

Foto: Driton Paçarada

Gazetarët e “Kosovo 2.0” Dafina Halili dhe Uran Haxha janë shpallur fitues të çmimit “Rexhai Surroi” për gazetari. 

Halili është shpërblyer për tekstin me titull “Ngacmimi seksual kalon pa u dënuar në Universitetin e Prishtinës”, ndërsa Haxha është shpërblyer për tekstin me titull “Djersa e përçmuar e bujqve”. 

Halili ka thënë se hulumtimi i saj i cili dëshmon se ngacmimet seksuale në Universitetin e Prishtinës kanë mbetur të patrajtuara. “Shkrimi tregon se si kemi të bëjmë me një sistem i cili vazhdimisht i mbron abuzuesit duke krijuar stagnim të madh për përpjekjet për të kërkuar drejtësi për viktimat e ngacmimeve seksuale”, ka theksuar Halili. 

Ndërsa Haxha ka thënë se artikulli i tij dëshmon se si bujqit çdo ditë po lëshojnë Kosovën, pasi siç ka thënë ai, ata nuk janë të vlerësuar dhe nuk janë të subvencionuar ashtu siç duhet.

Çmimin ua ka ndarë anëtari i jurisë Agron Demi. 

Çmimin për letërsi “Rexhai Surroi” e ka fituar autorja Jetlira Avdiaj me romanin “Toka e babës”. 

Avdiaj ka thënë se për të është kënaqësi ta pranojë çmimin “Rexhai Surroi” për letërsi. Ajo ka thënë se çmimin ua dedikon prindërve të saj. 

Çmimin Avdiajt  ia ka ndarë anëtarja e jurisë Bletra Ismajli. Ajo ka thënë se në romanin e vlerësuar në plan të parë qëndron konflikti rreth tokës familjare dhe trashëgimisë, i cili siç ka thënë Ismajli, ka zënë fill në raportin e lënduar në mes të nënës dhe të birit.  


Përurohen dy vëllime prozë të autorit Fatos Arapi

Në këtë ceremoni janë përuruar edhe dy vëllime prozë të autorit Fatos Arapi. Në emër të familjes, Toli Arapi, ka thënë se proza zbulon jetën personale të këtij autori që në pamje të parë mund të duket i largët nga ngjarjet, por është i lidhur ngushtë me ngjarjet dramatike në vendin e tij. 

Ai tutje ka thënë se botimi i këtyre dy vëllimeve prozë të autorit Fatos Arapi janë akt guximi dhe dëshmi e integritetit të lartë profesional.

“Në fillim falënderoj Botimet ‘KOHA’ që mundësuan botimin e këtyre veprave. Ky është një autor që ka botuar për herë të parë në vitin 1949m një vit i largët tashmë dhe një muaj para se të ndërronte jetë, më 10 tetor 2018 vazhdonte ende që të lexonte, të mbante shënime, të shkruante për atë q ë të vazhdonte të punonte. Kështu që kemi të bëjmë me një karrierë prej 69 vjetësh. Një karrierë letrare. Unë gjithmonë kam menduar në jetën time që mjeti i vetëm për ta fiksuar e ndaluar kohën është letërsia dhe në këto dy vepra do e shihni se si autori e fikson kohën në katër periudha të caktuara historike. Në periudhën e monarkisë, në periudhën e Luftës së Dytë Botërore, në vitet e socializmit dhe më pas në tranzicionin e pasviteve të ’90-ta. Kjo prozë zbulon edhe jetën personale të këtij autori që në pamje të parë duket i largët nga ngjarjet, por që siç ka treguar kritika, ka qenë i lidhur ngushtë me ngjarjet dramatike të vendit të tij. Ky promovim dhe ky botim i këtyre dy veprave është një akt guximi dhe dëshmi e një integriteti të lartë profesional, sepse pavarësisht rrethanave mbështet e promovon letërsinë e mirë, atë të vërtetë e që në fund mbetet në kohë”, ka thënë ai. 


Surroi: Rrezik që revolucioni i inteligjencës artificiale të na kalojë

Foto: Driton Paçarada / KOHA

Publicisti Veton Surroi, i cili hapi ceremoninë e ndarjes së çmimeve vjetore për gazetari e letërsi “Rexhai  Surroi”, gjatë fjalimit të tij ka shprehur shqetësimin për ndikimin e inteligjencës artificiale gjatë viteve të ardhshme në shoqërinë kosovare. 

Duke e cilësuar si revolucionin më të madh që do ta përjetojnë njerëzit ndër kohë, Surroi ka thënë se rreziku që ky revolucion ta kalojë kapacitetin e njeriut, duhet të shndërrohet në sfidë. 

"Brenda viti 2025 do të hyjmë në atë që quhet superinteligjenca artificiale brenda 3-5 vjetësh do të hyjmë në atë që quhet AGI që është inteligjenca e përgjithshme artificiale. Është momenti kur inteligjenca artificiale i afrohet apo bëhet bashkë me kapacitetin e njeriut. Ndryshe nga sistemet e ngushta të inteligjencës artificiale që i kemi sot, që janë njohja e fytyrës, përkthimi i gjuhëve apo drejtimi autonom i veturave, inteligjenca e përgjithshme artificiale do të ketë aftësinë të përshtatet, të mësojë dhe të arsyetojë në fusha të ndryshme pa ndërhyrjen e njeriut. Është makinë e gjuhës që do të ketë kapacitetin që në formë të vullnetshme të performojë funksionet e veta. Ky është revolucioni më i madh që do ta ketë njeriu prej makinës së avullit e tutje. Ky paralajmërohet të jetë ndryshimi më i madh që do ta përjetojmë. Fati ynë i mirë është që ky revolucion nuk po na anashkalon. I kemi të disponueshëm kompjuterët, telefonat mobilë, kemi lidhje interneti. Fati ynë i keq është që ky revolucion mund të na anashkalojë, sepse fëmijët tanë janë më të paarsimuarit në regjion. Treçereku i fëmijëve tanë nuk mund ta kuptojnë tekstin që e lexojnë”, ka thënë ai. 

Ai tutje i ka përmendur fushën e arsimit dhe të shëndetësisë si dy prej sferave më të dobëta të shoqërisë, njëkohësisht edhe më vitale, në të cilat nevojitet të punohet.

“Jemi në një gjendje ku kalimi i shpejtë demografik në qytet, mund të vazhdojë tutje në kalimin e shpejtë demografik të zbrazjes së Kosovës dhe në fund të këtij 10-vjetëshi do të mund të kemi më shumë njerëz që jetojnë jashtë Kosovës sesa brenda, gjegjësisht në Kosovë të ketë po aq njerëz ka pasur në vitin 1971. Rreziku që ky revolucion të na kalojë, duhet të shndërrohet në një sfidë. Arsimi sot për sot është pjesa më e dobët e shoqërisë sonë dhe pjesa më vitale e shoqërisë sonë në të ardhmen. Në gjendjen që e kemi sot, fëmijët në sektorin publik dhe studentët në sektorin privat shihen më shumë në figurën e klientit e jo pjesë e konsensusit të ri shoqëror në të cilin këta fëmijë ndërtojnë ardhmërinë. Brenda këtij 10-vjetëshi është krejtësisht e mundur që fëmijët tanë të jenë të matshëm në konkurrencën botërore. Kjo shoqëri kur sfidohet ka kapacitet transformativ të jashtëzakonshëm. Kjo shoqëri që ka dalë analfabete pas Luftës së Dytë Botërore dhe ka gjetur në disa sfera të jetës majat e veta, falë kapacitetit të madh transformativ brenda. Sfera e dytë- shëndetësia. Në gjendjen çfarë jemi sot në sektorin privat pacienti është klient, në sektorin publik është pjesë e statistikës. Kjo mund të transformohet. Që të dyja këto nënkuptojnë që të japim pjesë të shënimeve e identitetit tonë, ta shkrijmë brenda një sistemi informativ. Kjo është sfidë për demokracinë”, është shprehur tutje ai. 

Lexo përditësimet tjera
Rexhai Surroi  konkursi per gazetari dhe letersi

Sot ndahen shpërblimet vjetore për gazetari dhe letërsi “Rexhai Surroi”

Grupi KOHA sot do të ndajë shpërblimet “Rexhai Surroi” për letërsi dhe gazetari të shkruar.Ceremonia mbahet...