Profesori i shkencave politike në Universitetin e Prishtinës, Arben Hajrullahu, ka thënë se me ndërhyrjen ushtarake të NATO-s në vitin 1999, ka ndodhur mrekullia. Por sipas tij përgjatë 25 vjet në Kosovë nuk është bërë sa duhet për zhvillim të shumë fushave, përfshirë fushën e arsimit.
Hajrullahu të hënën në një intervistë në emisionin “Interaktiv” të KTV-së, ka theksuar se të gjithë duhet të kryejnë detyrat e tyre për ta forcuar shtetin.
“Ne jemi fituesit e luftës, çlirimin e Kosovës, bashkërisht me botën e lirë demokratike e perëndimore, atëherë ne vetëm duhet të shohim se si ta forcojmë këtë shtet që e kemi falë punës së përbashkët por edhe mrekullisë, pasi unë këtë që ka ndodhur në vitin 1999 me çlirimin e Kosovës, unë e quaj mrekulli, ka ndodhur mrekullia dhe besoj që tani se secili e secila duhet të ketë përgjegjësi në fushën e vet, të saj, që të vazhdojë të kryejë detyrën me nder dhe ta forcojë këtë liri”, ka theksuar Hajrullahu.
Sipas tij bazuar në kapacitetin njerëzor e financiar, në Kosovë nuk është bërë sa duhet për zhvillim.
“Duke parë zhvillimet e fundit këto 25 vjet, sidomos pas shpallje së Pavarësisë e këndej, unë besoj që bazuar në kapacitetin njerëzor e financiar ne do të duhej të bënim më mirë dhe do të duhej të ishim në gjendje më të mirë, duke filluar nga fusha e arsimit”, ka deklaruar Hajrullahu.
Ai gjithashtu e ka quajtur lajm të mirë faktin që nuk ka kaluar propozimi i Rusisë që Këshilli i sigurimit i OKB-së të mbajë një seancë të jashtëzakonshme lidhur me intervenimin e NATO-s në Kosovë para 25 vjetësh.