Arbëri

Hajdari shpalos para deputetëve pesë objektivat për të përmirësuar “sistemin e shthurur”

Në raportimin para deputetëve në Komisioni Parlamentar për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, rreth planit vjetor të Ministrisë së Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, ministrja Rozeta Hajdari ka shpalosur pesë objektiva me të cilët ka thënë se do të punojnë për përmirësimin e “sistemit të shthurur të cilën e kemi trashëguar”.

Ajo është ankuar se në ministri ka gjetur shumë mungesa, duke thënë se “politikat e ligjet për shumë sektorë nuk ekzistojnë”.

“Në këtë gjendje që kemi trashëguar, duam të iniciojmë politika për tregti, industri e ndërmarrësi. Sipas planit të ministrisë, ne kemi pesë objektiva strategjike. Përmirësimi i mjedisit të të bërit biznes dhe zgjerimi i konkurrueshmërisë, nxitja dhe përkrahja e investimeve të huaja, zhvillimi i bilancit tregtar”, ka thënë tutje ajo.

Ajo la paralajmëruar miratimin e Ligjit për inspektim, Ligjin për konkurrencë, riorganizim dhe trajtim të stafit për agjencitë.

Hajdari ka thënë se do të përkrahen me grante bizneset që janë prekur nga pandemia, ndërsa ka theksuar se Ligjin për turizëm do ta shtyjnë.

Sipas saj, Ligji për sekretet tregtare, ai për patentën, ai për dizajn industrial, për marka tregtare e për pronësi industriale do të shkojnë deri në vjeshtë për miratim nga Qeveria.

Hajdari ka thënë se Qeveria Kurti do t’i rishikojë edhe Ligjet për investimet e huaja, strategjike e për zonat industriale.

Ka thënë se janë në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë për themelimin e Gjykatës Komerciale.