Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, në “Konfront” të KTV-së ka folur për çështjen e rezervave shtetërore.
Hajdari e ka quajtur si “projektin më patriotik e strategjik” për popullatën e Kosovës.
“Pas arrestimeve, gjykata e Apelit dhe ajo Supreme ka konstatuar se nuk ka pasur të konsumuar vepër penale për t’u mbajtur në burg. Të vazhdojnë hetimet ditë e natë, jemi të hapur për të vazhduar çdo hetim. Unë edhe sot e them me përgjegjësi të plotë se është projekti më patriotik e strategjik për popullatën tonë që është siguruar popullara në rast të çrregullimit të tregut e situatave të jashtëzakonshme. Nuk dyshoj në asnjë zyrtar që është bërë një aferë e një keqpërdorimi dhe këtë e them sot e do ta them çdo ditë. Nuk dyshoj derisa vet unë isha në kohën kur u ble rezerva shtetërore. Më shumë nuk ndaj, pasi është ligj që cenon të flasë”, tha Hajdari.
Prokuroria Speciale më 18 gusht 2023, kishte zhvilluar një aksioni për bastisjen e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë si dhe shkoi edhe te pronat e biznesmenit Ridvan Muharremi.
Pas aksionit, dy zyrtarët e Ministrisë, Hafiz Gara, Irfan Lipovica dhe biznesmeni u prangosën nën dyshimin për korrupsion dhe vepra tjera penale.
Ministrja Rozeta Hajdari kishte thënë po atë ditë se dy zyrtarët e MINT janë të pafajshëm dhe se nuk kanë bërë kurrfarë shkeljesh ligjore derisa ka akuzuar Policinë se ka marrë kundërligjshëm dokumentet e rezervës shtetërore, duke rrezikuar kështu sigurinë kombëtare.
Ndërkaq, më 31 gusht 2023, Muharremi dhe dy të zyrtarët shtetërorë ishin liruar nga paraburgimi. Muharremi dyshohet se iu ka ndihmuar dy zyrtarëve shtetërorë Gara, dhe Lipovica , që të shkelin ligjin kur kanë porositur blerjen e rezervave shtetërore.
Hajdari: Jemi vendi i pestë në botë për tërheqje të investimeve
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka thënë se Kosova është vendi i pesë në botë për tërheqje të investitorëve të huaj.
Ajo ka thënë se në disa raporte ndërkombëtare Kosova theksohet që ka bërë progres në promovim të investimeve.
“Ne me kapacitetet e KIESA-s – është përmendur edhe në raportin e Komisionit Evropian, që KIESA ka ngritur performancën... është edhe ky raport (i DASH-it), por janë edhe dy raporte të tjera që tregojnë, për shembull Raporti i Progresit tregon politkbërjen dhe ligjet që po e sigurojnë investitorin, por edhe performancën e Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA). Ne jemi të renditur si shtet, vendi i dytë në Ballkanin Perëndimor për tërheqjen e investimeve dhe jemi renditur si vendi lider për politikën tregtare dhe promovimin e investimeve në raportin ‘Konkurrueshmëria e vitit 2024’ nga Organizata për Bashkëpunim Ekonomik. Nëse i krahasoj këto raporte, është raporti i BE-së që e thekson performancën e ngritur të KIESA-s dhe raporti i organizatës botërore për Bashkëpunim Ekonomik që e dëshmon performancën e KIESA-s në rritje e sipër. Pastaj është raporti për konkurrueshmërinë dhe raporti NDI i publikuar sivjet. Kosova është vendi i pesë në botë për tërheqje të investimeve”, ka thënë ajo në “Konfront” të KTV-së.
Hajdari: Ligji i naftës për 10 vjet s'kaloi në Kuvend, kishte informalitet e lidhje politike
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka thënë se për shkak të lidhjeve politike, Ligji i Naftës nuk ishte miratuar për 10 vjet e kjo, sipas saj, shkaktoi informalitet në treg.
Në një intervistë në “Konfront” të martën, Hajdari ka thënë se pa ligj, sektori i naftës ka qenë jashtë standardeve dhe në kundërshtim me rregulloret e Bashkimit Evropian.
Ajo është shprehur krenare që e kanë kaluar këtë ligj gjatë kësaj qeverisje.
“Sot e kemi një treg të naftës ku nuk ka operator ekonomik që kanë pasur rafineri të naftës, ku përpunimi i naftës ka qenë jashtë standardeve dhe në kundërshtim me parametrat dhe rregulloret e BE-së dhe ligjit përkatës në fuqi. Ligji për Naftën nuk kishte hyrë në fuqi për 10 vjet, nuk e di pse. Vit pas viti, mandat pas mandati, nuk ka kaluar ky ligj. Kishte shumë informalitet dhe pa një ligj të përcaktuar të naftës. Tani sektori i naftës ka një ligj që përcakton standardet, edhe direktivën e BE-së, por obligon edhe Qeverinë të nxjerrë udhëzimet përkatëse për cilësinë e naftës dhe rritjet e parametrave në laboratorin e Doganës. Ministria ka bashkëpunim të ngushtë me Doganën. Pas hyrjes në fuqi të këtij udhëzimi për kualitetin e naftës, përveç formalizimit të operatorëve të naftës me leje e licencë nga dy në gjashtë vjet, prej 20 mijë në 50 euro, prej 5 mijë në 55 euro tarifë, ne kemi shumë punë për të bërë me Doganën për të rritur parametrat e cilësisë së naftës në naftën që përdoret në tregun e brendshëm. Nafta ishe e lidhur me interesa politike. Kemi gjetur farefis ata që kanë marrë monstrimin e inspektimin e naftës nga operatorët ekonomikë. Kemi gjetur lidhje të ngushta familjare me ministrin. Ka lidhje me partitë politike kjo çështje”, është shprehur ajo.
Hajdari: Në ministrinë që drejtoj gjeta sistem të shthurur e shumë nepotizëm e korrupsion
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka thënë se kur ka marrë postin e ministres ka gjetur një sistem të shthurur dhe shumë nepotizëm e korrupsion brenda dikasterit që e drejton.
Të martën në “Konfront” të KTV-së, Hajdari ka deklaruar se korrupsioni më së shumti është parë në praktikat e subvencioneve.
Sipas saj, grantet shkonin gjithmonë te grupet e njëjta të interesit.
“Dikasterin e gjeta me një sistem të shthurur, nuk kishte politika sektoriale, nuk kishte ligje të konsoliduara, nuk kishte instrumente sa duhet të zhvilluara për mbështetjen e sektorit privat dhe kishte shumë informalitet e korrupsion në ministri sa i përket sektorit të naftës, të duhanit etj. Ne filluam me ristrukturim të ministrisë, filluam me analizën e të gjithë sektorit privat. Nuk ka pasur një strategji, një politikë që e shpalos potencialin tutje të sektorit privat. Nëse fillonte praktika e subvencioneve, ishte një skemë e korruptuar që i dedikohej makinerisë prodhuese të sektorit privat, por nuk targetohej direkt te sektori privat prodhues dhe ato grante plotësoheshin në formularë direkt në ministri, qoftë edhe me ndihmën e zyrtarëve të ministrisë. Ato grante shkonin te një grup i caktuar i interesit, ku gjithmonë të njëjtit në listën që kanë aplikuar, të njëjtit kanë qenë përfitues të grantit”, ka thënë Hajdari.