Nga sot, 9 tetor, Kosova nuk do të përfaqësohet më nga UNMIK-u në CEFTA. Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, në një konferencë për media ka thënë se kjo është arritur me përpjekjet 3-vjeçare të Qeverisë.
Hajdari ka theksuar deri tash nuk ishin miratuar as vendimet e tjera për shkak të kërkesës së vazhdueshme të Kosovës për përfaqësim.
“Përfundimisht pjesëmarrja e UNMIK është larguar nga CEFTA dhe kjo vjen si rezultat i përpjekjeve të shumta. Pas 13 viteve Kosova për herë të parë ka marrë një iniciativë për të rregulluar përfaqësimin e saj në CEFTA... Ne e kemi arritur këtë sot dhe vërtetë është rezultat i madh i qeverisjes sonë”, ka thënë ajo.
Hajdari ka shtuar se 13 vendimet e miratuara sot kanë qenë në diskutim për 3 vjet në nivel teknik, por që nuk janë votuar deri pas rregullimit të përfaqësimit të Kosovës. Ajo ka treguar vendimet e miratuara.
“Përveç saj, 13 vendimet tjera nuk janë të parëndësishme sepse përfshijnë qasje të barabartë ekonomike dhe tregtare në fushat: protokolli shtesë 7 për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në kuadër të CEFTA-s – një mekanizëm që ka qëllim të përcaktojë procedurën për zgjedhjen e barrierave të pajustifikuara apo shkeljen e marrëveshjes së CEFTA-s nga ndonjëra palë; vendimin për lehtësimin e tregtisë elektronike; vendimi në aspektin tregtar të të drejtave të pronësisë intelektuale; vendimin për disiplinat që vendosin një sistem të përgjithshëm për njohjen e kualifikimeve profesionale; vendim për lehtësimin e tregtisë për shërbimet të ofruara nga agjencitë e udhëtimit dhe operatorët turistikë; vendimi për krijimin e sistemit elektronik për tregtinë e mallrave; vendimi për njohjen e programeve operatore ekonomik të autorizuar; vendimin për themelimin e organeve të CEFTA-s; vendimin për shërbimet për dorëzimin e parcelave ndërpalëshe; vendim për ndryshimin e funksionimit të sekretariatit të CEFTA-s; si dhe rekomandimin për lehtësimin e sigurimi të përgjegjësisë ndaj dëmit ndërmjet palëve të treta në kuadër të CEFTA-s”, ka thënë Hajdari.
Edhe Jeton Zulfaj, këshilltar i kryeministrit Albin Kurti, ka thënë se po të mos kishte veprime nga Kosova, nuk do të hiqej UNMIK-u.
“Është kërkesa që e ka bërë Republika e Kosovës për trajtim të barabartë në CEFTA. Nuk do të hiqej UNMIKU sikurse të mos kishte veprime nga Kosova. Nuk erdhi largimi i UNMIK-ut vetvetiu, por për shkak që ka pasur veprim”, ka thënë Zulfaj.
Ai e ka konsideruar të rëndësishëm faktin se UNMIK-u është larguar gjatë presidencës së CEFTA-s që e pati Serbia.
“Moskalimi i vendimeve në CEFTA, vendime shumë të rëndësishme për Procesin e Berlinit por edhe të Plani e Rritjes kanë shtuar presionin te Serbia që ajo të mos bëhet bllokuese gjithë këtyre proceseve, sepse ka qenë bllokuese duke mos e pranuar barazinë e Kosovës në këtë mekanizëm. Është vepruar drejt dhe mirë sepse Serbia ka qenë duke jetuar në një realitet paralel”, ka shtuar ai.
Zulfaj ka shtuar se përfaqësimi rajonal është ende me asterisk dhe kjo është që nga viti 2012.
“Marrëveshja e re që e kemi arritur me Serbinë për njohje defacto e largon asteriskun dhe zbatimi i saj do ta adresojë këtë. Kjo ka ardhur më 2012. Për planin e rritjes sigurisht Kosova e ka kaluar agjendën, kështu që Kosova do të jetë përfituese sepse është demokracia më e zhvilluar e rajonit dhe njëkohësisht zbatuesja në nivel më të lartë e kritereve teknike që i parashtron BE-ja karshi shteteve aspirantë dhe kandidate. Jemi të pozicionuar që të përfitojmë më së shumti nga pakoja e zhvillimit të rritjes dhe nuk është i ndërlidhur në mënyrë direkte, por me progresin dhe mendoj që kemi progres me marrëveshjen e arritur vitin e kaluar”, ka thënë ai.