Ish-prokurorja speciale për krime lufte, Drita Hajdari, ka thënë se gjykimi në mungesë i krimeve të luftës ka qenë treni i fundit për Kosovën që të arrijë drejtësinë për viktimat.
Të martën në “60 Minuta” të KTV-së, Hajdari ka thënë se një numër i madh i kryerësve të krimeve të luftës janë në kërkim nga Interpoli.
“Situata ka ndryshuar më hyrjen në fuqi të Kod të procedurës penale më 2023, ku prokurorëve i është dhënë mundësia të ngrenë aktakuzë pa e marrë në pyetje të pandehurin dhe të kërkojë nga gjykata gjykimin në mungesë. Një numër i madh i kryerësve të krimeve të luftës janë në kërkim nga Interpoli. Gjykimi në mungesë për Kosovën ka qenë treni i fundit për të arritur drejtësinë për viktimat dhe të gjykohen këto raste”, ka thënë ajo.
Ajo ka thënë se nuk është e kënaqur me politikën e ndëshkimit, pasi sipas saj, dënimi maksimal në Kosovë është 20 vjet, derisa në vendet tjera të rajonit, të pandehurit për krime të luftës mund të dënohen edhe me burgim të përjetshëm.
Sipas Hajdarit, armiku më i madh i këtyre rasteve është vdekja e dëshmitarëve apo kryesve të veprës.
Ajo ka shtuar se nga misioni evropian i sundimit të ligjit në Kosovë, EULEX, janë trashëguar më shumë se 900 lëndë të krimeve të luftës dhe afro 2000 raste për persona të zhdukur.