Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka thënë se asnjëherë nuk është marrë në pyetje nga Prokuroria për dyshimet për keqpërdorime të rezervave shtetërore.
E ftuar të martën në “60 Minuta” të KTV-së, Hajdari ka thënë se qëndrimi i saj për këtë çështje është i qartë nga dita e parë, teksa është shprehur e rezervuar lidhur me informacionet që mund t’i japë për gjendjen aktuale të rezervave shtetërore, duke thënë se kushdo që është i interesuar, mund t’i referohet ligjit në fuqi për rezervat shtetërore.
“Asnjëherë nuk jam marrë në pyetje për këtë çështje. Qëndrimi im është shumë i qartë që nga dita e parë, e kam gjetur një situatë të rezervës shtetërore të naftës që nuk ka mundur ta kryejë funksionin e saj në rast të çrregullimit të tregut. Ky komision (për rezervat shtetërore) është vonuar në qartësimet e tyre brenda komisionit. Ne si ministri jemi të hapur të japim çdo informacion sipas legjislacionit në fuqi, duke respektuar ligjin për rezervën shtetërore që e trajton atë si sekret. E gjithë shkresa që ka ardhur në Ministri përbën elemente të rezervës shtetërore sekret”, ka thënë ajo.
Muaj më parë janë ngritur dyshime se vaji i paguar nga Polonia, nuk ka arritur në Kosovë te rezervat shtetërore, e njësoj pretendohet se ka ndodhur edhe me një pjesë të grurit.
Derisa ka folur për importin e naftës, Hajdari ka thënë se synohet që të ketë një treg të shëndoshë të naftës dhe konsumatorë të mbrojtur.
“Synojmë që të zhvillojmë konkurrueshmërinë e të bërit biznes. Në rastin e importit të naftës, ne synojmë që të kemi sa më shumë një treg të shëndoshë të naftës, synojmë që të kemi edhe konsumatorin e mbrojtur e jo të kemi çmime të spekuluara në treg me marzhë tregtare deri në 30 cent për një litër naftë. Cilësia e naftës tani është më e mirë falë largimit të praktikës pasurimi i naftës. Ka qenë praktikë e dëmshme që nafta të pasurohet përmes laboratorëve të naftës apo rafinerive të naftës që e kanë dëmtuar shumë kualitetin e naftës në tregun tone”, është shprehur ajo.