Rea Hadri, njëra nga studentët e Fakultetit Juridik që dolën triumfues në garën prestigjioze të drejtësisë në botë “Willem C Vis”, ka thënë se personi që e ka shkruar rastin për garën ka qenë arbitër në rastin e pasaportave në Kosovë.
Të mërkurën në “Konfront” të KTV-së, Hadri ka thënë se rasti në garë ka qenë i ngjashëm me atë të skandalit për pasaportat, për çka më vonë e kanë kuptuar ndërlidhjen.
“Çka është interesante me rastin e pasaportave, është që problemi i sivjetshëm i VIS-it ka qenë në çelës, në pjesën substanciale, ka qenë shumë i ngjashëm me rastin e aferës së pasaportave dhe tek më vonë duke hulumtuar dhe duke lexuar, e kemi kuptuar që personi i cili e ka shkruar rastin e VIS-it, ka qenë arbitër në rastin e aferës së pasaportave në Kosovë”, ka thënë ajo.
Në vitin 2024, nga Ministria e Punëve të Brendshme doli skandali korruptiv me 1.4 milion euro të destinuara për prodhimin e pasaportave biometrike kosovare, të cilat nuk kanë shkuar në kompaninë austriake “Osterreichische Staatsdruckerei”, por në xhirollogarinë e shtetases gjermane, Natali Veliaj.
Profesoresha Qerimi tregon se si përzgjidhen studentët garues
Profesoresha Donikë Qerimi, ka thënë se për garën për drejtësi “Willem C Vis” para shumë viteve ishte më e vështirë të gjendeshin studentë të Kosovës për të garuar. Kjo pasi sipas saj duhej gjetur përveç studentë të mirë edhe që flisnin një anglishte të rrjedhshme.
Qërimi ka treguar se si përzgjidhen studentët garues tani për këtë garë ndërkombëtare.
“Tash shpallim konkurs, preferojmë ta shpallim shumë më herët që ekipi të përgatitet. Shpallim konkurs dhe studentët kalojnë nëpër tri faza seleksionuese të cilat pasqyrojnë vetë garën. E para është që ata i dorëzojnë aplikacionet e tyre sa për të parë ne se si shkruajnë, notën mesatare, ndonëse nuk kemi kriter sa duhet të jetë nota mesatare. Është më e rëndësishme që këta të jenë të mirë në avokim, të jenë të përkushtuar, të shkathtë, se të kenë notën mesatare 10.0. Faza e dytë është kur i dorëzojmë memorandumet, si trajnerë i ndërtojmë një skenar fiktiv, këta i dorëzojnë memorandumet me shkrim, ne i shohim sa janë të përkushtuar. Pastaj vijnë e garojnë me njëri-tjetrin në një sallë të hapur dhe aty i përzgjedhim”, ka treguar ajo në “Konfront”.
Qerimi ka theksuar se studentët përgatiten për shtatë muaj rresht për garën.
Gjinovci: Suksesi falë studentëve, jo i Universitetit të Prishtinës
Panelisti në “Konfront”, Rron Gjinovci, ka thënë se suksesi i studentëve të Fakultetit Juridik duke arritur vendin e tretë në një garë ndërkombëtare, nuk i takon Universitetit të Prishtinës.
Ai ka thënë të mërkurën se studentët me trajnuesit e tyre janë meritorë për këtë arritje, duke shtuar se studentët duhet të motivohen edhe për vitet e tjera.
“Sikur të ishte UP-ja e mirë, do të kishim rezultate edhe në vitet e tjera. Është më shumë meritë e studentëve, pa nënçmuar punën e trajnerëve të tyre. Kjo tregon se studentët e nxënësit nuk dallojnë askund në botë, sistemi i prish. Kemi me çka të punojmë vetëm se duhet t’i ndreqim institucionet”, ka deklaruar Gjinovci.
Sipas tij, institucionet duhet t’i nxisin studentët e tillë.
“Fakulteti Juridik është njëri më të dobëtit akademikisht në UP. Kjo tregon se studentët janë fantastikë, e profesorët s'i justifikojnë titujt që i mbajnë. Mos ta paraqesim si fakultet të mirë, s'është i mirë, është katastrofe. Shumica e profesorëve s'janë fare të përgatitur. Ju jeni përjashtim i tyre. Ky sistem është katastrofal. Nuk është UP-ja për t'u krenuar me këtë rezultat”, ka theksuar Gjinovci.
Studentët kanë arritur sukses në garën botërore Willem C Vis International Arbitration Moot” në Austri.
Musa: Shtatë muaj ia dedikuam garës ku dolëm të tretët
Studenti i Fakultetit Juridik, Nol Musa, njëri nga studentët triumfues në garën prestigjioze të drejtësisë në botë “Willem C Vis”, ka thënë se garës ku kanë dalë të tretët, i janë dedikuar shtatë muaj pa pushim.
Të mërkurën në “Konfront” të KTV-së, Musa ka thënë se grupi në të cili ka marrë pjesë nuk e ka pritur që të arrijnë deri në arritjen në top treshen më të mirë në garën ku morën pjesë rreth 400 universitete.
“Nuk e kemi pritur që do të arrijmë deri në atë pikë, por e kemi ditur se çfarë grupi fantastik kemi dhe kanë qenë shtatë muaj të punës të dedikuar jashtëzakonisht shumë garës. Ka pasur net pa gjumë, kemi qëndruar në gjykatoren e Fakultetit Juridik deri në 02:00 të natës për të gjetur argumente që janë më të mira dhe momenti kur thërritet emri i Universitetit të Prishtinës është jashtëzakonisht një moment emocionues për ne dhe nuk ka fjalë se si ta përshkruaj ndjenjën që e kemi pasur”, ka thënë ai.