Arbëri

Guri: Dikush duhet të shkojë në burg për grantet e ndara nga ministri Peci

Paris Guri

Kryetari i Forumit Rinor të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Paris Guri, ka thënë se dikush duhet të shkojë në burg për grantet e ndara nga Ministria e Bujqësisë për vëllain e deputetes së pushtetit, Fitore Pacolli.

Të mërkurën në “Interaktiv” të KTV-së, Guri ka thënë se paratë e ndara për këto grante do të kthehen në buxhetin e Kosovës. 

“Faton Peci ka qenë në LDK dhe e di mënyrën se si funksionon LDK-ja. Në LDK nuk ka presione, në LDK nuk kontrollon askush se çfarë ti duhet të bësh e çka jo. Të LDK-së nuk e kanë motër Fitore Pacollin, e as mbesë. Edhe po të kishte qenë vetëm vëllai dhe daja i saj, dikush duhet të shkojë në burg për atë punë. Sërish paratë duhet të kthehen cent më cent në buxhetin e Kosovës, prej aty ku i kanë marrë. Kjo absolutisht që do të ndodhë”, ka thënë Guri.

Ai tutje ka shtuar se ky rast është vetëm një prej keqpërdorimeve. 

“Jo vetëm vajza e tezes së presidentes, jo vetëm vëllai e daja i Fitore Pacollit, ka edhe dhjetëra familjarë e njerëz të afërt me pushtetin që i kanë futur duart në buxhetin e shtetit të Kosovës. I bëj thirrje prokurorisë që përveç hetimit të këtyre rasteve, t’i hetojë edhe nëntë pozitat që kanë hyrë si konsulentë”, ka shtuar ai.