Arbëri

Grupi kriminal i Veselinoviqit me kontrata aktive në Kosovë

Familjarët dhe grupi i Zvonko Veselinoviqit, të cilët janë përfshirë në listën e zezë të SHBA-së, për vite me radhë kanë marrë paga nga buxheti i Kosovës. Familjarët e tij ishin të punësuar në “Telekom”, ndërsa anëtari i grupit të drejtuar nga ai, Radule Steviq, kishte fituar tenderë nga Ministria e Infrastrukturës. Derisa kompania e Steviqit pritet që të largohet nga kontrata, bashkëshortja e Veselinoviqit ka ende kontratë aktive me “Telekomin”, për një kohë të pacaktuar

Kompania e Radule Steviqit, i cili është futur në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës rreth krimit të organizuar, si pjesë e grupit të Zvonko Veselinoviqit, do të largohet nga kontrata e lidhur me Ministrinë e Infrastrukturës për mirëmbajtje të rrugëve.

Kompania e tij, “RAD”, nuk do të jetë pjesë e grupit të kompanive të angazhuara për mirëmbajtjen e rrugëve në Mitrovicë, me të cilat Ministria e Infrastrukturës kishte nënshkruar kontratë në korrikun e 2021-tës.

Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka bërë të ditur për KOHËN se kompania “RAD” ishte pjesë e një konzorciumi.

“Ministria jonë e ka një kontratë të mirëmbajtjes për veriun, një nga 14 lotet, ku janë tre operatorë ekonomikë dhe bartës i kontratës është një kompani me seli në Prishtinë, “B-Corp”, e cila është nënshkruese e kontratës. Pjesë e këtij konzorciumi prej tre operatorëve ekonomikë është edhe kompania “RAD”, e cila tash është në listën e zezë të Thesarit të Shtetit në Amerikë”, ka thënë Durmishi, duke shtuar se tanimë janë ndërmarrë hapa që kjo kompani të sanksionohet edhe në Kosovë.

“Pas sanksionimit kemi ndërmarrë hapa dhe kemi filluar procedurat për ta larguar këtë kompani nga konzorciumi. Sipas analizave që ia kemi bërë kontratës, dy kompanitë e tjera i plotësojnë kriteret e dhënies edhe pa këtë kompani, kështu që nuk kemi nevojë që të shkëpusim kontratën, vetëm e largojmë këtë kompani nga kontrata. Vendimi pritet që të merret sot ose nesër, se procedura ka filluar”, ka sqaruar Durmishi.

Vlera e kontratës për “Mirëmbajtje verore dhe dimërore 2021–2022 e rrugëve nacionale dhe rajonale për Mitrovicën Lot 2 është 574,015 euro dhe pjesë e konzorciumit janë dy kompani shqiptare, “B-corp” dhe “Europa Partners”. Ministria e Infrastrukturës edhe në të kaluarën kishte nënshkruar kontrata me kompaninë “RAD” rreth mirëmbajtjes së rrugëve. Më së fundi edhe në vitin 2018.

Përveç Radule Steviqit, i cili ka dhe ka pasur kontrata me institucionet e Kosovës, edhe kreu i grupit të sanksionuar nga SHBA-ja, Zvonko Veselinoviq, për vite me radhë kishte kontratë të lidhur me “Telekomin” e Kosovës.

Në të dhënat që KOHA i ka marrë nga “Telekomi” del se Veselinoviqi, në gushtin e 2007-s, ishte i punësuar për katër muaj, me kontratë mbi vepër, si teknik. Dhe kishte pagë prej 805 eurosh. Atij, në shkurtin e 2008-s i ishte ripërtërirë kontrata me të njëjtat kushte dhe kishte vazhduar që të merrte pagë nga ky institucion deri në dhjetorin e vitit 2011. Edhe vëllai i tij, Zharko Veselinoviq, ishte i punësuar në “Telekom” si teknik dhe paguhej 805 euro në muaj.

Për tre vjet e gjysmë sa kanë figuruar në listën e pagave të kësaj ndërmarrjeje, vëllezërit Veselinoviq janë paguar më shumë se 37,000 euro secili.

Vëllezërit Veselinoviq nuk janë anëtarët e vetëm të kësaj familjeje që marrin pagë nga “Telekomi”.

Edhe Dushica Veselinoviq, që nga viti 2009 deri në gushtin e vitit 2012, ka marrë pagë prej 805 eurosh nga “Telekomi”. Për dallim prej tyre, kontratë me “Telekomin” vazhdon të ketë ende Lilana Bozhoviq, bashkëshortja e Zvonko Veselinoviqit. Që nga viti 2015, asaj “Telekomi” i paguan më se 600 euro në muaj për hapësirën në të cilën është e vendosur njëra prej antenave të kësaj ndërmarrjeje.

Bozhoviqi punën në “Telekom” e ka nisur në të njëjtën kohë sikurse anëtarët e tjetër të familjes Veselinoviq. Për dallim prej tyre, Bozhoviqi nga kontrata mbi vepër ka arritur që të marrë kontratë të rregullt, me kohë të pacaktuar.

Zyra e Kontrollit për Pasuritë e Huaja e Departamentit amerikan të Thesarit ka sanksionuar Zvonko Veselinoviqin dhe grupi i tij të krimit të organizuar, si përgjegjës për trafikimin e mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve mes Kosovës dhe Serbisë.

Lista e grupit të organizuar kriminal të Veselinoviqit përfshinë: Rosiqin, Andrija Zhelko Bojiqin, Sërgjan Milivoje Vuloviqin, Milan Mihajloviqin, Milan Radisavleviqin, Radovan Radiqin, Sinisha Nedelkoviqin dhe Radule Steviqin.