Marrëveshja e 2013-s

Gruda: Ose të ndalej Asociacioni që Kurti të merrte pushtetin ose do të kishte gjakderdhje

Përparim Gruda, koordinator i Departamentit për Drejtësi në Partinë Demokratike të Kosovës, ka thënë se marrëveshja e vitit 2013 në të cilën parashihej formimi i Asociacionit ose “duhej të ndalej derisa kryeministri Albin Kurti ta merrte pushtetin ose do të kishte gjakderdhje”.

Sot janë bërë 11 vjet nga nënshkrimi i marrëveshjes mes ish-kryeministrit Hashim Thaçi dhe ish-kryeministrit të Serbis, Ivica Daçiq. Sipas Grudës, në atë kohë shoqëria u ushqye me dhunë.

“Atë kohë pati dy zgjidhje: Ose do të ndalej procesi i formimit të Asociacionit dhe të vinte dita që Kurti të vijë në pushtet ose këtu do të kishte gjakderdhje. Shoqëria u ushqye me dhunë”, ka thënë Gruda në “Interaktiv” të KTV-së të premten.

Por anëtari i PDK-së e ka cilësuar marrëveshjen mes Thaçit dhe Daçiqit si historike për atë kohë.
“Edhe 11 vjet mbrapa, është marrëveshje historike. Nga asnjë marrëveshje, asnjëra palë s’fiton gjithçka. Kosova ishte shpallur shtet pesë vjet më herët. Ishte një hap drejt konsolidimit të shtetit të Kosovës dhe drejt shtegut të marrjes së njohjes nga Serbia. Dialogu në Bruksel kishte filluar si pasojë e një vendimi të KS të OKB-së. Nuk ishte vullnet nga lidershipi i atëhershëm, por ishte obligim ndërkombëtar pas fitores kolosale në GJND”, ka shtuar Gruda.

Për Grudën, marrëveshja ka qenë e suksesshme.

“Marrëveshja ka qenë e suksesshme, të gjithë që kanë marrë pjesë në nënshkrimin e saj kanë bërë gjënë më të drejtë. Janë shpërbërë të gjitha strukturat ilegale, janë mbajtur zgjedhjet lokale, është bërë integrimi i serbëve dhe u shtri sovraniteti i plotë i Kosovës. Kur janë mbajtur zgjedhjet, janë mbajtur pa asnjë parregullsi nga KQZ-ja. S’ka qenë integrimi që kemi dashur, por ai ka qenë një proces. Nuk mund të bënim luftë, por duhej proces politik. Ka histori të gjatë për konsolidim të shtetit”, ka deklaruar ai.
Gruda e ka akuzuar Kurtin se ka bërë vetëm hapa mbrapa në dialog, ndërsa ka thënë se i ka dhënë autonomi politiko-territoriale serbëve të Kosovës.  

“Deri në ardhjen në krye të Qeverisë të Kurtit, njohja ka qenë qëllimi final i dialogut. Këtë e ka thënë edhe SHBA-ja. Njohja reciproke është zhdukur nga gjuha diplomatike në këto tre vjet. Kurti ka bërë vetëm hapa mbrapa. Thelbi i Marrëveshje së Ohrit është autonomia politiko-territoriale për serbët. Kurti e ka futur autonominë e serbëve në Kosovë me nenin 7 të marrëveshjes. Serbët do të menaxhojnë financat, do të kenë sistem të vet të arsimit, do të kenë të drejtë të blejnë mall nga Serbia, madje edhe pa paguar Doganë, do të kenë planifikimin hapësinor”, ka thënë Gruda.

Kritika ka pasur edhe për gjuhën që kryeministri Kurti e përdor ndaj Thaçit, e të cilën Gruda e cilëson si të pandershme.

“Kurti vazhdon të sulmojë në mënyrë shumë të pandershme ish-presidentin Thaçi, i cili është duke u përballuar me një proces që s’mund të përgjigjet. Të minosh kontributin për shtetndërtim dhe rezistencën e Thaçit është t’i biesh murit me kokë. Vendin e Thaçit s’mund ta zë asnjëherë Kurti”, ka potencuar Gruda.