Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, ka deklaruar në Interaktiv të KTV-së se Qeveria Kurti ka dështuar të ndryshojë sistemin e drejtësisë, duke shtuar se s’ka arritur t’i realizojë premtimet për vettingun.
Ai ka thënë të hënën se kryeministri Albin Kurti po tenton ta justifikojë secilin veprim “që të mbërrihet efekti dhe të kalojë shpejt deri te zgjedhjet pa dhënë llogari për qeverisjen”. Gruda është shprehur se PDK-ja do të bëjë vetting të plotë kur të jetë në udhëheqje.
“Katër vjet qeverisje, por ku janë rezultatet. Qytetari pyet për këtë, e jo për ankesat. Kurti i përsëriste të njëjtat premtime në fund të mandatit për çkapjen e sistemit të drejtësisë. Jemi një muaj para zgjedhjeve, duket qesharake kjo tendencë për të zëvendësuar një debat real që duhet ta bëjë kjo shoqëri. Debati mbi projektet e partive politike...Ne do të bëjmë vetting të plotë. Qeveria s’ka arritur të bindë as Komisionin e Venecias që ka nevojë për vetting të plotë”, ka thënë Gruda, derisa ka shtuar se duhet skanuar problemet nëpërmjet një vettingu të plotë.
Ai ka shtuar se vettingu me PDK-në do të kryhej brenda një mandati.
“Në vitin e parë do të bëhej hartimi i dokumentit, e do të duheshin vite për implementim, por brenda një mandati mundemi. Vetting i plotë si një qëllim për t’i mbrojtur e lartësuar gjyqtarët e ndershëm dhe për t’i ndarë ata”, është shprehur Gruda.
Sipas zyrtarit të PDK-së, problemi themelor i sistemit të drejtësisë është numri i madh i lëndëve të pazgjidhura.
“Janë 80.000 lëndë të pazgjidhura. Ky problem zgjidhet duke shtuar numrin e gjyqytarëve, prokurorëve dhe të bashkëpunëtorëve profesionalë. Numri i prokurorëve s’është shtuar mjaftueshëm. Kosova i ka rreth 400 gjyqtarë”, ka shtuar ai.
Gruda, njëherit kandidat i PDK-së për deputet, ka deklaruar se “secila parti do t’ia kishte lakmi listës zgjedhore të PDK-së”.
Për çështjen e energjisë elektrike, Gruda u shpreh se në periudhën kur qeveriste PDK-ja, energjia ka qenë më së liri “për shkak të investimeve të mençura”.