Arbëri

Gruda i reagon Haxhiut: Padia për gjenocid duhet të bëhet në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë

Përparim Gruda

Përparim Gruda, koordinator i Departamentit për Drejtësi në Partinë Demokratike të Kosovës, i ka reaguar ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila gjatë së dielës ka deklaruar se anëtarësimi në Këshillin e Evropës e hap rrugën për padi për gjenocid ndaj Serbisë.

Gruda ka thënë se kjo deklaratë e Haxhiut nuk ka asnjë bazë profesionale.

Sipas tij, padia për gjenocid duhet të bëhet në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, jo në mekanizmat e Këshillit të Evropës, siç është Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

“Kanë kaluar më shumë se 3 vjet dhe nuk kanë bërë asnjë hap për padinë për gjenocid. Tani që duan të dërgojnë statutin e Zajednicës në Gjykatën Kushtetuese, provojnë të krijojnë sa më shumë paqartësi në publik duke folur për padinë pa asnjë bazë profesionale”, ka shkruar ai në profilin e tij në Facebook.