Arbëri

Gruaja pretendon se mjekët janë shkaktarë që humbi dy foshnja, mohon QKUK-ja

Një grua në Prishtinë ka raportuar se shkaku i neglizhencës së mjekëve të Klinikës së Gjinekologjisë, i ka humbur binjakët në javën e 21-të të shtatzënisë.

Por, Klinika e Gjinekologjisë në një sqarim për KOHËN ka thënë se bëhet fjalë për një abort.

Sipas sqarimit gruaja kishte ardhur në Klinikë përmes Shërbimit Emergjent të QKUK-së dhe në Zyrën e Pranimit e kishte sjellë me vete njërin fëmijë të dështuar në javën e 21-të.Sipas tyre edhe fëmija tjetër ka qenë në proces të abortit.

“Klinika e Gjinekologjisë sqaron se pacientja e cila ka ardhur ne klinikë përmes Shërbimit Emergjent të QKUK-së, në Zyrën e Pranimit me njërin fëmijë të dështuar në javën e 20/21, e ka sjellë me vete. Fëmija tjetër ka qenë në proces të abortit dhe është dërguar në sallën e lindjes me ç’rast është kryer aborti. Edhe te fëmija tjetër, pesha ka qenë 300 gramë, pra, sipas OBSH-së dhe literaturës mjekësore kemi të bëjmë me dështim-abort, e jo me lindje”, thuhet nga Klinika e Gjinekologjisë.

“Asnjë mundësi nuk ka pasur që fryti në atë moshë dhe me atë peshë që të shpëtohet. Qasja e personelit, sipas deklaratave të tyre dhe pacientes ka qenë korrekte. Rrjedha e kryerjes së abortit ka shkuar mirë dhe gjendja e pacientes ka qenë e mirë. Vlen të ceket se pacientja nuk ka qenë e shtrirë në Klinikën e Gjinekologjisë së QKUK-së asnjë ditë me parë”.

Ndërkohë Prokuroria Themelore e Prishtinës ka thënë se ka lëshuar urdhëresë të bëhet autopsia në trupat e dy fëmijëve dhe është iniciuar rast për “trajtim për pandërgjegjshëm mjekësor”.

“Lidhur me këtë çështje ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit ka lëshuar urdhëresë për t’iu bërë autopsia trupave të pajetë (dy foshnjave), derisa është iniciuar rast “Trajtimi i pandërgjegjshëm mjekësor”, sipas KPRK-së. Prokuroria në koordinim me institucionet relevante janë duke i ndërmarrë veprimet hetimore për ta ndriçuar në plotëni këtë rast”, ka thënë për KOHËN, zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Laureta Ulaj.