Arbëri

Greva në aeroportet e Gjermanisë anulon katër fluturime nga Prishtina

ANP "Adem Jashari"

Foto: Ilustrim

Artikull i përditësuar (16:03) - Greva njëditore e punëtorëve të 13 aeroporteve në Gjemani, ka ndikuar në anulimin e katër fluturimeve në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.

Zëdhënësja e Aeroportit të Prishtinës, Valentina Gara i ka thënë KosovaPressit, se janë anuluar katër fluturime nga Prishtina, të cilat kanë qenë anulime të planifikuara dhe nuk kanë shkaktuar ndonjë tollovi në Aeroportin e Prishtinës.

“Për shkak të grevës në disa nga aeroportet e Gjermanisë, ne aeroportin tonë janë anuluar 4 fluturime në nisje. Meqenëse këto kanë qenë anulime të planifikuara, nuk kanë shkaktuar ndonjë tollovi në aeroportin tonë. Gjatë pjesës tjetër të ditës nuk kemi fluturime tjera të planifikuara për Gjermani”, potencoi Gara.

Greva, e udhëhequr nga sindikata Verdi, nisi të dielën në Aeroportin e Hamburgut dhe u përhap në të gjithë Gjermaninë. Udhëtarët në Frankfurt, Mynih, Berlin dhe aeroporte të tjera, janë paralajmëruar të mos udhëtojnë, pasi operacionet janë të rënduara.

Verdi kërkon rritje prej 8 për qind të pagave ose së paku 350 euro më shumë në muaj, si dhe përmirësime në kushtet e punës. Punëdhënësit i kanë refuzuar kërkesat si të papërballueshme. Greva pritet të vazhdojë edhe këtë javë në disa qytete të tjera.


Greva e punonjësve në aeroportet gjermane, pritet anulim i fluturimeve nga Kosova

Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka njoftuar se Policia kufitare në Aeroportin Ndërkombëtar "Adem Jashari" ka njoftuar se sot pritet të ketë anulim të fluturimeve drejt Gjermanisë, aty ku ka linja direkte, për shkak të grevës së përgjithshme të punonjësve të operimeve në aeroportet gjermane. 

“Ju njoftojmë, se për shkak të grevës së përgjithshme të punonjësve të operimeve në aeroportet e Gjermanisë, gjatë ditës së sotme, pritet të anulohen fluturimet në aeroportet gjermane, aty ku kemi linja direkte”, thuhet në njoftim.

Qindra fluturime janë anuluar të hënën në të gjithë Gjermaninë pasi punonjësit e aeroporteve kanë nisur një grevë mbarëkombëtare për shkak të pagave të ulta.