Flet ministri i Jashtëm

Greqia nuk do ta përkrahë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës

Giorgos Gerapetritis

Greqia do të abstenojë gjatë votimit të 16 majit në Këshillin e Ministrave të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe nuk do të mbështesë kërkesën që Kosova t'i bashkohet këtij organi, ka thënë të shtunën ministri i Jashtëm grek, Giorgos Gerapetritis.

“Siç kemi bërë në raste të ngjashme në të kaluarën, Greqia do të abstenojë nga votimi, me fjalë të tjera, nuk do ta mbështesë kërkesën e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës”, ka thënë Gerapetritis, transmeton “Kanaliena”.

Ai shtoi se “disa nga çështjet thelbësore ende nuk janë zgjidhur, mbi të gjitha themelimi i Asociacionit”.

“Prandaj, politika jonë bazë nuk ka ndryshuar. Greqia i përmbahet një politike të jashtme parimore. Ne nuk e ndryshojmë mendimin tonë derisa të ndryshojnë faktet mbi të cilat merren vendimet. Ne inkurajojmë dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, duam zgjidhje paqësore të mosmarrëveshjeve”, ka shtuar ministri i Jashtëm.

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës miratoi rekomandimin që Kosova të ftohet të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës para pak ditësh. Për këtë vendim votuan pro 131 deputetë, kundër 29, abstenuan 11. Katër nga pesë deputetët grekë gjithashtu votuan pro.