Arbëri

Gratë zotërojnë më pak se 10-përqindëshin e pronave të paluajtshme në Kosovë

*Teksti dhe storja janë përgatitur në kuadër të projektit “Dëgjonani”!

Kushtetuta dhe ligjet garantojnë të drejta të barabarta pronësore, si për gratë, ashtu edhe për burrat, por në praktikë shifrat tregojnë disproporcion të thellë. Nga 622 mijë prona të regjistruara në Kosovë, 485 mijë janë në emër të burrave e vetëm 57 mijë në emër të grave. Ndërkaq, në rreth 70 mijë prona figurojnë bashkëhisedarë gra e burra. Aktivistë të shoqërisë civile thonë se duke mos qenë titullare të pronave, gratë detyrohen të qëndrojnë në familje edhe kur i nënshtrohen dhunës sistematike. E, juristët u bëjnë thirrje grave që t’u drejtohen gjykatave, sa herë u mohohet e drejta e qasjes në pronë

Gratë si të vetme zotërojnë më pak se 10 për qind të pronave të paluajtshme në Kosovë.

Nga 622 mijë prona të regjistruara në nivel të shtetit, 485 mijë janë në emër të burrave e vetëm 57 mijë në emër të grave. Ndërkaq, në rreth 70 mijë prona figurojnë bashkëhisedarë gra e burra.

Avokatja Fehmije Gashi-Bytyqi thotë se më së shpeshti gratë i drejtohen gjykatës për trashëgiminë e pasurisë së prindërve.

“Problemin më të madh e kemi te trashëgimia e prindërve”, ka thënë avokatja Gashi-Bytyqi. “Kemi diskriminime shumë të mëdha për shkak se në Kosovë ende dominon e drejta zakonore që njeh hisen ta marrë vëllai, e motrat si kompensim t’i marrësh, t’i nderosh e respektosh”.

Bazuar në shifra, rreth 4 për qind e grave në Kosovë kanë përfituar nga trashëgimi i pasurisë së prindërve të tyre, ani se ligji thotë se të gjithë personat fizikë në kushte të njëjta janë të barabartë në trashëgimi.

Aktivistja Leonida Molliqaj thotë se është për shqetësim numri tejet i ulët i vajzave dhe grave që trashëgojnë pronë.

“Ajo që mbetet sfidë dhe shqetësim për ne si aktiviste feministe është numri tejet i ulët i vajzave dhe grave që trashëgojnë pronë nga familja e tyre”, ka thënë aktivistja Molliqaj. “Kjo po i pengon plot gra, të cilat edhe jetojnë në lidhje abuzive dhe kanë marrëdhënie të dhunshme brenda familjes”.

Ajo shpjegon pse mohimi i kësaj të drejte përbën problem rëndues, veçmas për gratë e martuara.

“Duke e ditur edhe mungesën e potencialit të institucioneve publike për të siguruar strehim te këto gra, ato po mbesin në mëshirën e fatit. Në momentin kur nuk ke pronë, nuk ke shtëpi, ti e ke shumë më të vështirë për ta marrë vendimin për të dalë prej një lidhjeje abuzive”, ka thënë Molliqaj, e cila aktivizmin e zhvillon në organizatën QIKA.

E, sipas sociologes, Arbenita Sylejmani-Nimani, një prej shkaqeve që gratë trashëgojnë kaq pak nga familja, është edhe gjykimi social që u bëhet atyre që guxojnë të kërkojnë hise nga pasuria e prindërve.

“Në radhë të parë u bëhet presion nga prindërit e tyre, pastaj nga vëllezërit e edhe nga bashkëshorti i saj ose i tyre”, ka thënë sociologia Sylejmani-Nimani. “Bëhet presioni social me arsyetimin se nëse insiston të kërkojë nga trashëgimia familjare, atëherë do të ndikojë në prishjen e harmonisë dhe raporteve familjare”.

Bazuar në ligj, në rast divorci, grave u takon pjesë nga pasuria e fituar me punë gjatë kohës sa ka qenë e martuar. E drejtë e njëjtë i njihet edhe nëse vdes bashkëshorti. Por, ligji rrallë gjen zbatim.

Avokatja Gashi-Bytyqi inkurajon gratë që të drejtën në pronë ta kërkojnë nëpërmjet gjykatave.

“Nëse nuk mund ta realizoni përmes dialogut të drejtën që ti të jesh trashëgimtare e pjesës që të takon prej prindërve të tu, atëherë domethënë të kërkohet në rrugë gjyqësore”, ka thënë ajo.

Sipas Agjencisë Kadastrale të Kosovës, në pesë vjetët e fundit, 25 mijë prona janë regjistruar në emër të grave.

Aktivistja Molliqaj thotë se autoritetet duhet të ngrenë mekanizma më radikalë për zbatimin e ligjit që ua njeh të drejtën në pronë grave.

“Të dhënat që janë alarmante është dashur të jenë shqetësuese edhe për institucionet publike, të cilat e kanë obligim edhe sipas Kushtetutës së vendit, të sigurojnë qasje të barabartë në pronë dhe në të gjitha aspektet e tjera të jetës, si për gratë edhe për burrat dhe ndalon diskriminimin dhe pabarazinë në vend”, ka thënë ajo.

Mungesa e qasjes së grave në pronë vlerësohet se ka efekt të drejtpërdrejtë në varësinë ekonomike të tyre, që konsiderohet si një ndër arsyet kryesore që ato i nënshtrohen dhunës në familje dhe jetojnë të shtypura në shoqëri.